Shkruan: Atdhe Gashi

Kosova si vend i vogël në Ballkanin Perëndimor, prej vitesh është kthyer në vijë ndarëse mes Perëndimit dhe Rusisë. Përballja e parë mes tyre në Evropë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kishte ndodhur në mesin e muajit Qershor të vitit 1999. Triumfi i NATO-së ndaj gjenocidit serb në Kosovë, ishte afër të eskalonte në një konflikt të ri botëror, si rezultat i arrogancës së Vladimir PUTIN, në atë kohë ishte shef i shërbimit rus (FSB) dhe veçse kishte filluar dominimin në menaxhimin e politikës ruse.

Trupat ushtarake ruse pa paralajmërim, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Tekniko Ushtarake mes NATO-së dhe Ushtrisë së Serbisë, ishin dislokuar nga Bosnja e Hercegovina ku ishin me mision paqeruajtës ushtarak, duke e bllokuar aeroportin e Prishtinës në Kosovë, që në atë kohë ishte pika më strategjike ushtarake, përmes së cilës do të dislokoheshin trupat paqeruajtëse në Kosovë. Për trupat e NATO-s që pritej të dislokoheshin në Kosovë, ky ishte veprimi i parë me agresiv nga ana e Federatës Ruse, që më vonë do të pasohej me veprime tjera.

Gjenerali amerikan Ëesley CLARK kishte urdhëruar gjeneralin britanik Mike JACKSON që t’i sulmonte trupat ushtarake ruse dhe ta merrte me forcë kontrollin mbi aeroportin e Prishtinës. Hezitimi i gjeneralit Jackson dhe negocimi i tij me palën ruse kishte shmangur një konflikt mes NATO-së dhe Rusisë, në Kosovë. Në të njëjtën kohë, ky konflikt tregon qartë se këtu gërshetohen interesa të mëdha.

Sot, në kohën kur ka rënë intensiteti i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe në prag të zgjedhjeve për parlamentin evropian, Federata Ruse ka rritur agresivitetin me qëllim të shtrirjes së ndikimit politik dhe ushtarak në Ballkanin Perëndimor dhe me gjerë.

Për shkak të afërsisë fetare dhe etnike, Serbia dhe serbët janë një nga aleatët kryesor të saj për pengimin e zgjerimit euro-atlantik dhe rrjedhimisht rritjen e ndikimit rus në Ballkan.

Pas tërheqjes së trupave ushtarake ruse nga Kosova, të cilët nga popullata vendëse janë konsideruar si trupa armiqësore, ndikimi rus ka vazhduar përmes misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur si UNMIK. Aktualisht, duke shfrytëzuar ndikimin në këtë mision, Federata Ruse përpiqet që Kosovën ta paraqes si ‘projekt të dështuar’ perëndimor, duke injoruar madje edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e Kosovës shtet i pavarur nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Federata Ruse, në bashkëpunim me Serbinë, është duke punuar në bindjen e shteteve të pavendosura që të mos e pranojnë pavarësinë e Kosovës, ndërsa tek disa është duke lobuar për tërheqjen e njohjeve.

Për këtë arsye, shtetet perëndimore të prira nga ShBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, dhe vendet tjera, janë duke bërë përpjekje që të eliminojnë raportimin e rregullt të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të OKB. Këto takime po shfrytëzohen nga Federata Ruse dhe Republika e Serbisë për propagandë dhe dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës, duke e paraqitur atë si ‘projekt të dështuar’ perëndimor.

Zgjerimit euro-atlantik Federata Ruse është duke iu kundërvënë me planin e saj për krijimin e Aleancës së shteteve sllavo-ortodokse, e njohur ndryshe ‘Katërshja Ballkanike’. Kjo Aleancë planifikohet të krijohet nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia, ku Serbia pritet ta këtë rolin kryesor në këtë Aleancë të re pro-ruse dhe anti-perëndimore.

Viteve të fundit Rusia është akuzuar vazhdimisht për ndërhyrjet që ka bërë në procese zgjedhore në vende të ndryshme perëndimore dhe pro-perëndimore.

Rajoni i Ballkanit, po ashtu është prekur shumë nga kjo tendencë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare që janë organizuar në Kosovë (qershor 2017) Federata Ruse kishte mbështetur publikisht subjektin ‘Lista Serbe’, e cila ka rrezik të shndërrohet në një ‘Kalë Troje’, brenda shtetit të ri. Përmes këtij subjekti, Serbia kishte ushtruar agresion gjatë zgjedhjeve në Kosovë, për çka kishte reaguar edhe misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë.

Serioziteti i veprimeve destruktive nga ana e Federatës Ruse në Ballkan, tregohet mjaft mirë edhe me 15 tetor 2016, kur ishte synuar grushtet në Mal të Zi, me qëllim mbështetjen e partive serbe me prirje pro-ruse. Qëllimi ishte pengimi me çdo kusht i anëtarësimit të Malit të Zi, në NATO. Pothuajse ngjashëm, Rusia ka vepruar edhe me Maqedoninë, duke synuar uzurpimin e Kuvendit të Maqedonisë përmes liderëve pro-rusë me qëllim pengimin e anëtarësimit të këtij vendi në NATO. Në të dy këto raste, Serbia ishte e përfshirë në forma të ndryshme.

Me agresivitet të madh ruso-serb është duke u përballur edhe Kosova. Federata Ruse, në koordinim me Serbinë, vazhdojnë të pengojnë në procesin e shtet-ndërtimit dhe integrimin në organizatat ndërkombëtare. Përcaktimi i Kosovës si vend pro-perëndimor ka ndikuar që Rusia ta shoh atë dhe shqiptarët në rajon si pengesë për realizimin e planeve të saj në Ballkan.

Planet ruse kundër Kosovës dhe zbehjes së ndikimit perëndimor në rajon janë të thella. Si kundërvënie ndaj prezencës së NATO-së në Kosovë, rusët kanë hapur Qendrën Humanitare Ruso-Serbe në Nish (prill 2012), e cilësuar prej tyre si qendër e emergjencave, ndërsa botërisht e njohur si qendër spiunazhi rus, në Ballkan. Politika ruse është duke kërkuar nga Republika e Serbisë statusin diplomatik për këtë qendër spiunazhi, në mënyrë që zyrtarët e saj të kenë imunitet diplomatik për veprimtarinë e tyre në rajon, me statusin e Konsullatës. Për shkak të presionit të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht Gjermanisë, Serbia ende po heziton t’ia jap statusin diplomatik kësaj qendre, duke qenë e kushtëzuar edhe me procesin e integrimit në BE.

Hapja e Qendrës Humanitare Ruso-Serbe në Nish (prill 2012), ishte reflektuar menjëherë edhe në Kosovë. Atë kohë, serbët, në pjesën veriore të Kosovës po refuzonin vendosjen e rendit kushtetues duke barrikaduar rrugët kryesore dhe duke cënuar lëvizjen e lirë. Në mesin e serbëve kishte edhe elementë radikalë nga Serbia të shoqëruar edhe nga shtetas rusë, të cilët Qendrën Humanitare Ruso-Serbe e shfrytëzonin si bazë logjistike. Gjithashtu përmes kësaj qendre kinse humanitare, Federata Ruse personave që qëndronin në barrikada ju kishte dërguar pajisje fushimi, me qëllim krijimin e kushteve më të mira akomuduese për ta.

Federata Ruse dhe Republika e Serbisë kanë nënshkruar një mori memorandumesh bashkëpunimi me strukturat e sigurisë së Serbisë. Një nga këto marrëveshje është ajo e vitit 2017 në mes të shërbimit me enigmatik rus – FSO, i njohur ndryshe edhe si shërbimi i presidentit Vladimir PUTIN dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP). Një nga pikat e kësaj marrëveshje parasheh shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve teknologjike të MUP-it serb për nevojat e FSO-së ruse.

Maja e Pançiqit ku ka qenë e vendosur qendra e radarëve të ish Jugosllavisë, qendra e parë e cila është sulmuar nga raketat e NATO-së në kuadër të sulmit të saj 78 ditor ndaj Serbisë, është një nga pikat strategjike që po synohet nga Federata Ruse. Lokacioni ku ndodhet kjo qendër është territor i kontestuar mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, pasi ndodhet në brezin kufitar mes këtyre dy vendeve. Lartësia e saj prej 2017 metrash ofron pozitë strategjike për përgjimin e telekomunikimeve me një rreze të gjerë ku përfshihet territori i Kosovës, një pjesë e territorit të dy shteteve anëtare të NATO-së, Shqipëria dhe Mali i Zi, si dhe një pjesë e Maqedonisë, që është në proces të integrimit në NATO.

Si rezultat i ndikimit rus në Serbi, janë shpeshtuar takimet mes tyre, ku deri me tani presidenti serb Aleksandër VUÇIQ me presidentin serb Vladimir PUTIN janë takuar 15 herë. Mbështetja që po i ofrohet nga ai, ka bërë që në shumë raste presidenti serb Aleksandër VUÇIQ të kërcënoj me invadim ushtarak veriun e Kosovës. Vetëm gjatë vitit të kaluar ai ka bërë katër kërcënime të tilla, i vetëdijshëm se çfarëdo sulmi ndaj territorit të Republikës së Kosovës konsiderohet si sulm ndaj NATO-së.  

Përveç ndikimit politik dhe ushtarak, Federata Ruse është duke synuar shtrirjen e ndikimit të saj edhe në aspektin fetar. Kisha Ortodokse Ruse është duke synuar që të rris ndikimin e saj dhe të merr primatin mbi Selinë e besimtarëve ortodoksë, Patriarkanën e Kostandinopojës (Stambollit).

Kisha Ortodokse Ruse është duke mbështetur politikat e Kishës Ortodokse Serbe, për mos njohjen e pavarësisë së Kishave Ortodokse të Maqedonisë dhe Malit të Zi, si dhe  përvetësimin e të gjithë trashëgimisë ortodokse bizantine, duke e paraqitur atë si serbo-ortodokse. Vitin e fundit Kisha Ortodokse Ruse ka pasur një konflikt edhe me Patriarkanën e Konstantinopojës (Stambollit), e cila kishte njohur pavarësinë e Kishës Ortodokse Ukrainase nga Kisha Ortodokse Ruse.  

Vlen të ceket se viteve të fundit në Evropë, partitë politike të ekstremit të djathtë, të njohura për aktivitetet e tyre populiste, janë duke shtrirë ndikimin e tyre si rezultat i mbështetjes së Rusisë. Fronti Nacional i Marine Le Pen, në Francë, që kishte pranuar dhjetëra milionë euro nga një bankë ruse, është vetëm një nga shumë rastet kur Rusia tregon agresivitetin e saj për të dominuar me çdo çmim.

Rritja eventuale e mbështetjes për ekstremistët djathtist në zgjedhjet për parlamentin evropian do të ndikoj në rritjen e ndikimit rus në Evropë, e që rrjedhimisht do të pasqyrohet negativisht në proceset zgjeruese të saj për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Federata Ruse politikave agresive të diplomacisë ruse për të realizuar qëllimet e saj për shtrirjen e ndikimit në Kosovë dhe rajon është duke përdorur edhe “Fuqinë e butë”, dhe atë përmes shoqërisë civile, mediave dhe rrjeteve sociale. Përmes tyre Rusia është duke tentuar që ta paraqes Kosovën si projekt të dështuar të perëndimit, shtet kriminal pa të ardhme dhe si një territor të pushtuar nga SHBA dhe NATO. Megjithatë, strukturat politike dhe ato të sigurisë së Kosovës, kanë treguar se dinë të jenë partnerë strategjik, sidomos në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Frika e Kosovës dhe forcave properendimore në shtetet fqinjë është që Federata Ruse është duke investuar që të përdorë cdo mjet për të arritur qëllimin – dëmtimin e të ardhmes  europiane.