Kosova U17 kualifikohet në “Elite Round”

Përfaqësuesja e Kosovës U17 në futboll, ka arritur një sukses të madh të martën pasdite në Austri.

Kosova ka triumfuar përballë Ishujve Faroe me rezultatin 1:0, në kuadër të fazë së parë kualifikuese për Kampionat Evropian që do të mbahet në vitin 2022. Pas këtij triumfi, “Dardanët” e rinj janë kualifikuar në “Elite Round”.

Golin që pati vlerën e tri pikëve për Kosovën e ka shënuar Arjol Bllaca në minutën e 59-të. Në ndeshjen kundër Ishujve Faroe, Kosova mbeti me dhjetë lojtarë në fushë nga minuta e 87-të. Me karton të kuq u përjashtua Alpi Shahini.

Me gjashtë pikë pas tri ndeshjeve, përfaqësuesja kosovare kualifikohet në raundin tjetër nga pozita e dytë. Në vendin e parë përfundoi Sllovenia U17 me nëntë pikë. Të gjitha ndeshjet e grupit të nëntë kualifikues janë zhvilluar në Austri.

Në ndeshjen e parë, Kosova e kishte mposhtur Austrinë U17 me rezultatin 1:0. Në duelin e dytë humbi nga Sllovenia U17 me shifrat 1:0. Ndërkohë, shënoi fitore ndaj Ishujve Faroe 1:0. Në tri ndeshje, “Dardanët” shënuan dy gola dhe pranuar një.

Kjo është hera e dytë që grupmosha U17 e Kosovës kalon në “Elite Round”.

Hera e parë ka qenë në vitin 2018, ku Kosova kishte përfunduar në vendin e parë në grup me gjashtë pikë, pas dy fitoreve dhe një disfate. Por, në “Elite Round”, përfaqësuesja kosovar nuk ia doli të marr asnjë fitore, duke humbur tri ndeshje për tu eliminuar.