Kosova sërish ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit?

Konfrontohet Albin Kurti me SHBA-të për politikë ditore apo e ka strategjinë të shkëput Kosovën nga rruga transatlantike dhe BE e drejt blloqeve të Lindjes? Këto janë tezat e nxehta të këtyre ditëve. Asnjëra e as tjetra tezë nuk qëndron. Atëherë çka synon kryeministri me këshilltarët e tij aq kontrovers përreth?

Deri më tani sikur një parim të ishte i qartë për çdo parti: asnjëra nuk e provonte të bëjë politikë ditore me raportet Kosovë – SHBA. Edhe në krizat më të mëdha siç ishin ajo e tërheqjes nga «Gjykata speciale» dhe kontestit rreth «transformimit të FSK»-së, qeveritë dhe shteti kosovar menaxhuan situatën në atë mënyrë që mos gërvishteshin këto raporte. Ditëve të fundit spekulohet se kjo gjendje ndryshoi me ardhjen e LVV-së në pushtet. Flitet për konfrontimin e drejtpërdrejte të kryeministrit Kurti me administratën Trump. Këta të fundit kërkojnë heqjen e taksës, e ky nuk pranon. Ose e heq atë por me këste.

Këtë këmbëngulje të Kurtit jo pak analistë e konsiderojnë demagogji. Operim për politika ditore që mund t’i kushtojnë shumë Kosovës dhe të ardhmes së saj. Vërtet politikë ditore?

Paralajmërimi i Merkel dhe Macron mirëpo se edhe ata do të angazhojnë emisarët e tyre special rezulton gjendjen shumë më serioze se ç’ vlerësohet. Nuk mund të bëhet fjalë vetëm për politikë ditore ose ndërkombëtarët e konsiderojnë ndryshe e qeveria në Prishtinë ndryshe. Pyetja që duhet të shtrohet në këto rrethana është: çka qenka kaq e madhe dhe urgjente në këtë aferë të re serbo-kosovare, saqë të mobilizohen më të mëdhenjtë e botës në këtë mënyrë?

Sjelljet e ndërkombëtare nuk lënë hapësirë për ta reduktuar rëndësinë e kontestit në «folklorizëm për politikë ditore». Po të ishte kjo atëherë Kurti do t’ia kishte huqur rëndë analizës së tij, gjë që nuk e besojmë.

Teoria tjetër që qarkullon mediave dhe rrjetit social është ajo që politikën e Kurtit e sheh në favor të prishjes së qëllimtë të shtetit të Kosovës me partnerët perëndimorë. Autorët e kësaj teze argumentojnë sidomos me stafin e Kurtit në Tiranë, e cila dihet botërisht se synon Turqinë e përtej, dhe bindjet marksiste të Kurtit që qenkan natyrshëm kundër «imperializmit, kolonializmit» dhe izmave të tjerë me të cilët edhe në shekullin 21 e majta përpiqet ta mbajë veten në skenë. Qenkan këto qarqe anti-perëndimore, të cilat kohëve të fundit kanë përvetësuar binomin në luftë dinjitet-servilitet që de fakto e instaloi Ramush Haradinaj pas instalimit të taksës 100% ndaj Serbisë.

Çka qëndron nga këto dy spekulime: Konfrontohet Kurti, duke rrezikuar raportet me SHBA-të për politikë ditore apo kursi i tij ka të bëjë vërtet me ndonjë doktrinë që synon orientimin kah Lindja duke shfrytëzuar në këtë rrugë krizën e një raporti tjetër: SHBA- BE (pa Britaninë,  dhe Skandinavinë)? Apo është ai vërtetë siç i tha me ironi Vuçiç të jetë më i mençuri nga të gjithë dhe të nxjerrë maksimumin duke shfrytëzuar të gjithë në interes të vendit të tij të varfër e në halle.

E ka vërtet këtë fat Kosova? Jo.

Nga lëvizjet e Qeverisë së re Kurti (aq sa mund të analizojmë ne nga distanca) më shumë duket sikur ajo nuk ka ende strategji konkrete se çka duhet të bëjë. Veprimi i saj duket sikur të jetë mozaik fragmentesh, të cilat në sintezë pamundësojnë ndonjë qëndrim unik e të qartë. Varësisht se me cilin këshilltar flet Kurti e cili prej tyre flet vetë ashtu edhe ndezën taborët: herë me Lindje, herë me perëndim e vazhdimisht në efekt kundër vetes. Kurtin duhet shpëtuar nga këshilltarët e tij.

Një situatë e këtillë manifeston dy gjëra:

1. Kurti ende nuk ka tubuar aparatin e nevojshëm dhe serioz që i nevojitet për të udhëhequr një shtet dhe rropatet me militantë, “filozofë” e publicistë të papërvojë dhe

2. Ai ende nuk e ka kuptuar se në ç’ situate të rëndë gjendet vendi i tij.

Prishja e raporteve – me qëllim apo për shkak të pafuqisë – me SHBA-të nesër do të thotë se të mbyllet edhe BE. Interesat ndërmjet Evropës dhe SHBA-ve asnjëherë nuk do t’i determinojë një vend si Kosova, ato përbehen nga interesa të thella tradicionale e globale, që sapo të ulen për vete në tavolinë harrojnë se ku gjendet Kosova. Deshën apo s’deshën «antiimperialistët», erodganistët, jeshilët apo të zinjtë SHBA-të janë superfuqia që përcakton politikat globale dhe Kosova si shtet nuk e ka luksin të bëjë poza idealiste por pragmatike dhe të ruaj raportet me të me çdo çmim. E se Kurti vetë, personalisht, të ecë drejt ndonjë blloku tjetër, i cili as veten nuk e shpëton dot nga gropa ku ka rënë, do të ishte jashtë çdo logjike.