Për dhjetë ditë kanë folur e kanë premtuar. Por partitë politike dhe kandidatët e tyre për deputet që nga ky moment duhet të heshtin.

Me fillim në orën shtatë të mëngjesit të ditë së sotme, nis heshtja zgjedhore e cila do të zgjatë 24 orë, deri në orën shtatë në mëngjes të së dielës, kur fillon votimi për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Më 14 shkurt, qytetarët drejtohen tek kutitë e votimit për përzgjedhjen e një legjislature të re qeveritare.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare ka filluar më 3 shkurt, e cila ka vazhduar deri më 12 shkurt, respektivisht me një kohëzgjatje prej dhjetë ditësh.

Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare marrin pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Të gjitha partitë garojnë për 120 vende në parlament.

Zgjedhjet për parlamentin e Kosovës zhvillohen në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Në këtë pjesë që nga viti 2013 proceset zgjedhore si ato lokale dhe të përgjithshme, zakonisht janë ndihmuar edhe nga misioni i OSBE-së. Por kësaj radhe është hera e parë që zgjedhjet në tërë territorin e vendit organizohen vetëm nga KQZ-ja.

Për shkak të pandemisë coronavirus, për herë të parë Bashkimi Evropian, nuk do të dërgojë ekipin e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve. Mirëpo, stafi i ambasadave dhe vet ambasadorët janë zotuar se do jenë vëzhguesit e procesit të zgjedhjeve, krahas mijëra organizatave jo-qeveritare të Kosovës.