Kosova moti i ka plotësuar kushtet për liberalizim, disa shtete të BE-së e hoqën frikën nga Rusia

Shkruan: Skënder Berisha

Shumica e vërejtjeve për mosliberalizim të vizave për shtetasit e Kosovës, kanë bazë te fryma proruse të disa politikanëve brenda shteteve të Bashkimit Evropian. Ashtu siç ishte terminologjia dhe “argumentet” e Dick Martyt kundër udhëheqësve të UÇK-së. Nëse shohim argumentet e liberalizimit të vizave për disa shtete që tashme kanë lëvizje të lirë, ato në krahasim me Republikën e Kosovës – janë aq të pakta sa janë absurde.

Disa nga ato shtete edhe sot janë larg gjendjes së sundimit të ligjit sikur në Republikën e Kosovës, janë larg vlerave demokratike, barazisë dhe respektimin e ligjit sikur në Republikën e Kosovës, disa shtete kanë korrupsion galopant, krim e mafi të organizuar me traditë qindra vjeçare dhe shumë më të begatë se çdo krim në Kosovë.

Megjithatë, ato shtete që janë larg vlerave që ka dhe promovon Kosova, nuk ishin në tehun e propagandës së sputnikut apo orekseve serbo-ruse. Ndërsa sot, zagarët e kësaj mendësie, nuk kanë argumente para Ministres gjermane të thonë se Kosova ka korrupsion, është shtet i kapur, apo Kosova ka krim ose Kosova nuk po i përmbush standardet e broçkullat e ngjashme.

Mendësia servile që denigronte Kosovën kudo që arrinte, edhe ishte, edhe është eksploatuesja e pamëshirshme e fondeve të dedikuara për ecjen sa më të shpejt të Kosovës brenda vlerave euro atlantike, sot hesht. Ajo mendësi ka denoncuar dhe nëpërkëmbur pa mëshirë arritjet e Kosovës, duke paralajmëruar dhe duke kërkuar kushte për liberalizim të cilat as disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk i plotësojnë.

Arritjet e shtetit nuk na mjaftonin për liberalizimin e vizave për 14 vjet pavarësi as të bëhemi pjesë e organizmave evropian me peshë në pajtim me subjektivitetin tonë shtetëror. Pasi që konfiguracioni politik në Evropë tash po ndryshon, vijat e asaj politike ruso-serbe, janë heshtur. Do të mbeten të heshtura deri në momentin e përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë, pastaj do të fillojnë sërish me furtunën e re kundër vlerave dhe të arriturave të Republikës së Kosovës.

Shtetet skeptike ndaj plotësimit të kushteve për liberalizim, edhe nuk kishin argumente të mjaftueshme por as nuk jepnin rrugë për të bërë më shumë, por, ato u bënë të njohura sot, kur lojën e balancave evropiane e prishi sulmi mbi Ukrainën. Pranimi i Ministres gjermane rreth vizave, dëshmon se ne jemi të njëjtit, por kanë ndryshuar rrethanat në Bashkimin Evropian pas sulmit rus, përderisa kundërshtarët e Pavarësisë tonë mbesin të njëjtë.

Fati i Republikës tonë, është fat se nuk është në duar të Bashkimit Evropian. Republika e Kosovës është çështje shumë më e madhe. Kjo u dëshmua edhe nga lakimi i emrit të shtetit tonë për të satën herë nga krerët rus dhe Lavrovi në Ankara, si ilustrim i sulmit e luftën e pabarabartë Rusi-Ukrainë. Pra, Kosova nuk është aq e vogël sa e bëjnë disa trushpëlarë. Ajo, është kapitull i madh, çështje e madhe që për fat gjeti mbrojtësin e saj besnik, vetëm përtej Atlantikut, në djepin e lirisë, Amerikën e vlerave të përbotshme!