Kosova ia heq vizat Singaporit

Qeveria e Kosovës ka miratuar heqjen e vizave për qytetarët e Singaporit, që hynë në territorin e Kosovës.

Miratimi erdhi pas kërkesës së ministres së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Ajo tregoi se Singapori nuk figuron në shtetet ndaj së cilës Kosova nuk aplikon regjim të vizave.

Prandaj, ajo u shpreh se që të eliminohen paqartësitë eventuale, tash e tutje, qytetarët e Singaporit lirohen nga pajisja me vizë për hyrje në Kosovë.

Ata do të mund të qëndrojnë deri 90 ditë në Kosovë, për një periudhë gjashtë-mujore.

“Përmes plotësim-ndryshimit, shtetasve të Singaporit iu mundësohet të lirohen nga pajisja me vizë për hyrje, transit dhe qëndrim në territorin e Kosovë, deri 90 ditë, për periudhë gjashtë muajsh”, u shpreh Gërvalla në mbledhjen e sotme të Qeverisë Kurti.

“Propozoj që të zbatohet i njëjti regjim i vizave dhe e njëjta procedurë për hyrje, kalim-transit dhe qëndrim në territorin e Kosovës nga shtetasit e Singaporit, ashtu sic është përcaktuar edhe për shtetasit e vendeve të tjera”, tha ajo.