Ekonomia

Kosova dhe Tajvani synojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik

Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë pritur në një takim në Prishtinë një delegacion të lartë nga Tajvani.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se mysafirët nga Tajvani kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe shkëmbimi i përvojave në sektorë të ndryshëm.

“U dakorduam edhe për vizitën e radhës të cilën do ta bëjmë me një grup biznesesh nga Kosova që do ta thellojnë bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve”, shkroi Hoti në Facebook.

Ish-kryeministri i Kosovës ka shtuar se Republika e Kosovës ka potencial të madh për investime, por ka shtuar se “duhet bashkëpunim me miqtë për të sjellur investitorë të huaj”.

Ndryshe Hoti në mars të këtij viti, kishte takuar edhe presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen në Forumin e Hapjes dhe Monitorimit Parlamentar.

Kosova dhe Tajvani në fund të vitit 2021, kanë krijuar grupet e miqësisë në parlamentet e tyre respektive.

Kjo ka shënuar edhe themelimin e grupit të parë të miqësisë mes Tajvanit dhe një shteti në Ballkanin Perëndimor.