Kosova dhe BE-ja zhgënjime të ndërsjella

Tërheqje nga vendimi për taksën ndaj mallrave serbe dhe durim për liberalizimin e vizave ka kërkuar komisari evropian, Johannes Hahn. Ai ka shmangur paraqitjet e përbashkëta me liderët kryesorë, por në takimet brenda ua ka përmendur edhe pasojat me të cilat mund të përballet Kosova nëse nuk zmbrapset nga taksa.

Por kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk tërhiqen nga vendimi, i cili u mor një ditë pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, edhe për fajin e një fushate agresive të Serbisë. Derisa Hahn shprehu zhgënjim me Kosovën për taksën, liderët, të dëshpëruar i janë shfaqur atij pas konfirmimit se vizat nuk do të hiqen para vitit 2020, shkruan sot “Koha Ditore”.

Disa herë brenda pak orëve ka ndryshuar agjenda e vizitës së komisarit për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili vinte pas qëndrimit në Beograd. Pas zbarkimit në Prishtinë, të parit në takim i ka shkuar kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Kemi shpresuar se do të vini me lajm pozitiv për vizat, para Krishtlindjeve”, kanë qenë fjalët e para të Haradinajt në takim me Hahnin. Përgjigjja e zyrtarit të lartë evropian nuk ka mundur të dëgjohet, pasi mediat janë larguar nga salla.