Koronavirusi ka goditur sektorin privat, Kosova mund të futet në pandemi ekonomike

Kosova ka hyrë në një situatë emergjente të luftës kundër koronavirusit ku për shkak të izolimit është suspenduar edhe pjesa më e madhe e aktiviteteve ekonomike.

Pasojat ekonomike që mund të ndodhin në Kosovë si pasojë e koronavirusit janë të mëdha sipas njohësit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Ai në një intervistë për lajmi.net ka thënë se Kosova përveç koronavirusit përballet edhe me probleme ekonomiko-sociale dhe problemin e jo-stabilitetit ekonomik.

Tutje, Gërxhaliu ka thënë se pas koronavirusit, Kosova mund të futet në një pandemi ekonomike për shkak të problemeve të mëdha me të cilat do të përballet.

“Duhet të kemi parasysh se Kosova është futur në krizë-në krizë dhe derisa krejt vendet e botës luftojnë me pandeminë, Kosova ballafaqohet me 3 sfida shumë të mëdha, e para është koronavirusi, e dyta është problemi ekonomiko-social që nuk është në nivelin e dëshiruar dhe e 3-ta ka të bëjë me jo-stabilitetin politik që po e rëndon shumë më tepër popullatën sesa vet frika nga koronavirusi. Është e vërtetë që nëse hynë në krizë-në krizë atëherë pasojat nga koronavirusi në aspektin ekonomik do të jenë shumë të mëdha, do të jenë aq të mëdha sa në Kosovë lirisht do të mund të shpallet një pandemi ekonomike në Kosovë sepse duhet një angazhim i të gjithë akterëve relevant që të minimizohen pasojat e kësaj krize dhe ajo që është më shqetësuese është fakti se nuk kemi qenë të përgatitur për ballafaqimin e kësaj krize dhe në veçanti duhet të pranohet se meritën më të madhe për këtë qëndrueshmëri sociale qoftë për shërbim me mallra qoftë shërbime shumë më tepër i takon sektorit privat sesa strukturave politike në Kosovë.”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Më tutje, Gërxhaliu tha se sektori më i goditur është sektori privat, duke përmendur gastronominë, hotelierinë dhe ndërtimtarinë si tri sektoret që kanë pësuar më së shumti.

Ai tha se rënia e të hyrave nga ATK dhe Doganat është një problem shtesë në ballafaqimin ekonomik me pasojat që do t’i lë koronavirusi.

“ Ju po e shihni që Kosova nuk mund të anashkalohet nga pasojat e kësaj krize. Parashikimet e ekspertëve janë që nivelin global rritja ekonomike e paraparë prej 2,6 për qind do të jetë e pamundur për t’u realizuar dhe parashikimet që Kosova dhe Ballkani Perëndimor do të ketë rritje ekonomike mbi 4 për qind përsëri do të jetë mision i paarritshëm. Në këtë drejtim, Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta dhe sektori privat është më i godituri. Vet fakti që kemi mbi 300 mijë punëtor të punësuar në këtë sektor dhe nuk kanë garancë për paga është indikatori i parë i krizës dhe duhet të kemi parasysh se sektoret më të goditura janë ato si gastronomia, hotelieria, ndërtimi, transporti dhe deponimi dhe në këtë drejtim besoj që Kosovës i duhet një pako emergjente që në rend të parë përmes kësaj pako të arritet një ndihmë në aspektin social, por njëkohësisht një pako sociale që do të jetë një infuzion për sektorin privat që të rimëkëmbet, dhe kur kësaj ia shtojmë faktin që edhe diaspora e Kosovës është e goditur që ka qenë shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë atëherë mund të paramendoni cilat do të jenë sfidat dhe sa ka obligime qeveria dhe institucionet e Kosovës që të gjejnë modalitete si t’i tejkalojnë këto pasoja.”, tha Gërxhaliu.

Duke klikuar në linkun e mëposhtëm mund të lexoni të plotë intervistën me Gërxhaliun lidhur me situatën ekonomike në Kosovë, Pakon Emergjente të qeverisë, buxhetin e Kosovës dhe rimëkëmbjen ekonomike.