Konjufca: Kërkesat e Abdixhikut e Krasniqit për fushatën m’u duken të arsyeshme, mbase duhet hequr fare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se s’do të duhej të lejohej mbajtja e fushatës zgjedhore para zgjedhjeve të tetorit.

Ai thotë se pajtohet me deklaratat e kruet të LDK’së Lumir Abdixhiku dhe atij të PDK’së, Memli Krasniqi, për fushatën zgjedhore.

“Fushata zgjedhore jo vetëm që duhet të shkurtohet por unë do të thoja ndoshta të hiqet krejt për shkak të pandemisë”, tha Konjufca në emisionin DPT te Fidani në T7.

“Së pari mua mu dukën shumë të arsyeshme adresimet edhe të z.Abdixhiku edhe të z.Krasniqi sa i përket zgjedhjeve dhe fushatës zgjedhore. Unë pajtohem plotësisht me këtë qëndrim”, shtoi ai.

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, në një letër dërguar liderëve të tri partive politike më të mëdha në vend, ka bërë thirrje që të shkurtohet fushata zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë si pasojë e situatës së rëndë me pandeminë. Kësaj thirrje i është përgjigjur pozitivisht edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Veçse ky i fundit ka thënë se fushata duhet të shkurtohet në vetëm pesë ditë. Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës e përkrahu propozimin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për shkurtimin e fushatës zgjedhore nga një muaj në 10 ditë.