Konfiskimi i Pasurisë| Haxhiu tregon para deputetëve vërejtjet e Komisionit të Venecias

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu,  ka prezantuar para deputetëve Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë.

Haxhiu në seancën e Kuvendit  ka pranuar që Komisioni i Venecias ka gjetur një varg vërejtjesh, ndërsa është lavdëruar që konfiskimi të njihet edhe në procedurën civile.

“Gjashtë rekomandime kryesore që adresohen. Të nderuar, deputetë, opinioni për një projektligj është i rëndësishëm për qeverinë dhe qytetarët. Besoj që pajtohemi që duhet të shtojmë për aspektin e konfiskimit civil, dhe të fokusohemi që të implentohet legjislacioni në mënyrën penale. Jam këtu të shpreh vullnetin e qeverisë që secila kërkesë të adresohet në Komisionin për Legjislacion. Vë në dukje se futja e konfiskimit civil është menduar masë e fuqishme dhe e nevojshme në rrethanat aktuale në Kosovë. Komisioni i Venecias duke krahasuar me Bullgarinë, ka përmendur procedurat civile për kthimin e të ardhurave nga krimi. I ka dhënë të drejtë konfiskimit civil. Një qasje e tillë mund të jetë mjet i vlefshëm për ta luftuar korrupsionin”, tha Haxhiu.

Ajo më tej tha se komisioni ka kërkuar garanci të forta, për t’i rezistuar çdo presioni politik.

“Byroja të punojë me bazë ligjore e kritere të përcaktuara. Vendimi për nisjen e verifikimit duhet të jetë publik. Qenësore, që Byroja të pajisjet me personel të specializuar e të merret me raste komplekse”, tha Haxhiu.