Konfiskim armësh nga policia në Rajonin e Mitrovicës

Në 24 orët e fundit në Rajonin e Mitrovicës nga policia janë kryer disa aksione, që kanë përfunduar me konfiskim armësh.

Në fshatin Koshtovë të Mitrovicës pas një bastisjeje në një shtëpi është konfiskuar një pistoletë dhe 30 fishekë, njofton policia.

Në Skënderaj poashtu një pistoletë ka konfiskuar policia pas pranimit të informacionit se ka pasur të shtëna

“Njësitet policore kanë identifikuar lokacionin dhe nga i dyshuari kanë konfiskuar një pistoletë me të cilën dyshohet se kishte shtënë në një aheng familjar”, thuhet në kumtesë.

“Ndërsa rasti i tretë i konfiskimit të një arme është realizuar në Vushtrri, ku pas kontrollit të detajuar tek një person tanimë i dyshuar është gjetur një armë e llojit pistoletë”.

Ndaj tre të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘përdorim i armës’.