Konfirmohet data e El Clasicos

Data, ora dhe vendi ku do të zhvillohet përballja e parë e sezonit 2019/20 mes Barcelonës dhe Real Madridit kishte ngjallur një debat të madh në botën e futbollit. Tani La Liga e ka konfirmuar se kjo ndeshje do të zhvillohet më 18 dhjetor, në orën 20:00, në Camp Nou.

Komiteti i Garave i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës e kishte konfirmuar para disa javëve se ndeshja mes Barcelonës dhe Real Madridit, që ishte planifikuar të luhet më 26 tetor, do të zhvillohet më 18 dhjetor, për shkak të situatës së tensionuar në Katalonjë.

Një protestë e madhe ishte planifikuar të mbahet në qytetin e Barcelonës më 26 tetor – pikërisht ditën kur klubi Barcelona e kishte ndeshjen kundër rivalit më të madh, Real Madridit, në “Camp Nou”.

Tensionet në regjionin katalonas ishin ndezur nga vendimi kontrovers i gjykatës spanjolle për t’i burgosur disa liderë politikë të lëvizjes për pavarësimin e Katalonjës nga Spanja dhe për rolin e tyre në referendumin e mbajtur për këtë çështje në vitin 2017.

E gjitha kjo situatë bëri që Komiteti i Garave i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës (RFEF) ta kërkojë shtyrjen e ndeshjes, kërkesë që të dyja klubet e kanë pranuar dhe ato janë pajtuar që ndeshja të zhvillohet më 18 dhjetor.

La Liga fillimisht e kishte kundërshtuar fuqishëm këtë propozim, duke kërkuar që El Clasico të luhet në një datë që s’bie ndesh me ndeshjet e garave të tjera. Mirëpo, tani La Liga e ka pranuar vendimin e Federatës dhe e ka zyrtarizuar datën e El Clasicos.

Barcelona është lidere e tabelës së La Ligës, me 25 pikë të grumbulluara nga 12 xhirot e para të sezonit 2019/20, ndërsa ndiqet nga pas nga Real Madridi, që ka baras pikë me katalonasit.

loading…