Kompania norvegjeze e interesuar të investojë 65 milionë euro në Kosovë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pritur sot në takim z. Henrik Selstam, Kryeshef Ekzekutiv nga kompania ScandGreen Energy, i cili ishte i interesuar të investojë në Kosovë në sektorin e energjisë së ripërtrishme.

ScandGreen Energy është kompani Norvegjeze e cila ka më shumë se 30 vite përvojë në prodhimin e kimikateve dhe ka fabrika në vende të ndrsyhme të botës si, Sllovakia, Danimarka dhe Gjermania.

Henrik Selstam së bashku me delegacionin e tij vizituan ministrin Lluka me qëllim që të informohen rreth fushës së riciklimit të mbeturinave me qëllim të prodhimit të energjisë.

Kreu i MZhE-së, z.Valdrin Lluka, i priti ata dhe i informoi rreth gjendjes së këtij sektori dhe për mundësitë e investimit në Kosovë, përkatësisht në këtë fushë.

“Sektori i riciklimit të mbeturinave është prej sektorëve që ka potencial shumë të madh mirëpo ka më së paku zhvillim në Kosovë. Qeveria e Kosovës është shumë e interesuar që ta zhvillojë më tepër këtë fushë. Janë dy mundësi që të investohet, e para është që investimi të jetë në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, si aksionare kryesore me 51%, e cila lehtëson përfitimin e granteve nga fondet IPA. Si dhe mundësia e dytë është që kompania e vetme të investojë përmes Ligjit për Investime Strategjike” tha z.Lluka.

Henrik Selstam falënderoi ministrin për informacionet e dhëna dhe tha se ScandGreen Energy është duke shikuar të investoj rreth 65 milion euro në Kosovë.