Kombëtarja e Kosovës zbarkon në Itali

Kombëtarja e Kosovës ka arritur sot në Parma të Italisë dhe është akomoduar në “nH Hotels”.

“Dardanëve” në aeroportin e Parmës i ka pritur ambasadorja e Kosovës në Romë, Lendita Haxhitasim.

Ndërkohë, grupit të futbollistëve që udhëtuan nga Kosova në Parma iu bashkuan edhe shtatë lojtarët e tjerë: Samir Ujkani, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala, Benjamin Kololli, Leart Paçarada, Milot Rashica dhe Elbasan Rashani.

Gëzon fakti se edhe rezultatet e testeve të këtyre futbollistëve për Covid-19 kanë rezultuar negative.

Kësisoj, të gjithë lojtarët janë në dispozicion të përzgjedhësit Challandes, i cili sonte në orën 18:45 do ta mbajë seancën e fundit stërvitore me djelmoshat dardanë para përballjes së nesërme ndaj Moldavisë.