Kjo është skuadra e re e Pepes

Ish-ylli i Real Madridit, Pepe është kthyer në Porto si lojtar i lirë, ku do të ribashkohet me legjendën e Real Madridit dhe ish-bashkëlojtarin e tij, Iker Casillasin.

Qendërmbrojtësi 35-vjeçar mbeti lojtar i lirë pas pjesës së parë të sezonit aktual, pasi u pajtua me ish-skuadrën e tij Besiktasin për ta ndërprerë kontratën.

Sipas gazetarit portugez të sportit Alex Goncalves, Pepe ka pasur shumë oferta, por zgjodhi ribashkimin me klubin portugez.

Përfaqësuesi portugez – i cili është lindur dhe rritur në Brazil para se të zhvendosej në Maritimo më 2001 – kaloi tri vite në Porto ku u zbulua si talent me të ardhme.

Ai iu bashkua Real Madridit më 2007 dhe ishte ndër mbrojtësit më të mirë të skuadrës për një dekadë, duke i fituar tre tituj të La Ligës dhe tre trofe të Ligës së kampionëve.