Kjo është letra që Ganimete Musliu thotë se ia dërgoi Prindon Sadriu, me emër të Presidentes

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu ka deklaruar sot se është “kërcënuar” nga bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu.

Musliu deklaroi se kërcënimin nga Sadriu e pranoi përmes një letre të cilën i njëjti e dërgoi tek ajo nga adresa e Presidencës së Kosovës.

Në adresë të lajmi.net, deputetja Ganimete Musliu ka dërguar edhe letrën të cilën pranoi nga Sadriu nga ku thuhet se e kërcënoi me padi civile.

Në këtë letër madje Prindon Sadriu kërkoi nga deputetja Musliu që të kërkojë falje publike.

Këtë çështje Musliu sot e paraqiti edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku theksoi se presidentja e cila me profesion është juriste nuk do të duhej të lejonte një gjë të tillë.

“Kjo letër përmbante një kërcënim për padi civile, arsyeja e përmendur në këtë letër është një deklaratë e thënë në një prej televizioneve ku paskam thënë se është ambasadorë me korrespodencë dhe se udhëton çdo ditë nga Prishtina në Shkup. E kjo ishte kryesisht çështja. Tani mua më drejtohet si diplomat i Kosovës, duke keqpërdorur adresën e presidentes. Më kishte kërkuar kërkim falje në një afat, apo më pas do të pasonte padia ndaj meje me kompensim të dëmit kinse i është prishur imazhi. Tani s’po kuptoj kujt ia kam dëmtuar imazhin? Unë u mundova të kuptojë se çfarë është bërë pasi janë së pari dhjetëra lajme online ku thuhet se Prindon Sadriu është ambasadorë pas shkarkimit të Gjergj Dedajt. Pse ky rast duhet të vlerësohet si konflikt interesi? Sepse i ngarkuari me punë të ambasadorit i raporton direkt presidentes, e në këtë rast direkt gruas së tij kjo nuk lejohet me ligj”, tha Musliu, transmeton lajmi.net.

Madje deputetja e PDK-së Ganimete Musliu nuk ishte e vetmja që paraqiti një çështje të tillë.

E kërcënuar nga Prindon Sadriu deklaroi të ketë qenë edhe deputetja Florentë Zejnullahu.