Kjo është gjendja e të lënduarve nga shpërthimi në Ferizaj

14 persona të lënduar nga shpërthimi në Ferizaj janë duke u trajtuar në Qendrën e Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Mjeku kujdestar, Agron Çitaku, për media tregoi se gjendja shëndetësore e të lënduarve është mesatarisht e rëndë dhe se pesë persona janë duke u trajtuar në sallën operative.

“Deri më tani 14 pacientë. Gjendja momentale e tyre mund të themi se është stabile edhe pse është mesatarisht e rëndë. Nga gjitha rastet, pesë janë trajtuar në sallën operative, priten edhe katër të tjerë. Një do të shkoj në sallën e ortopedisë meqë ka lëndime në këmbë, të tjerët me lëndime më të lehta do të trajtohen në repart”, tregoi Çitaku.

Ai tregoi se mosha e personave të lënduar është nga 18 vjeç dhe më e rritura 49.

Çitaku tregoi edhe se të lënduarit kanë pësuar lëndime në pjesën e sipërm të trupit dhe në fytyrë.

“Moshat janë 2002 më e vogla dhe 49 më e rritura, fëmijë nuk kemi. Kryesisht pjesën e sipërm të trupit dhe në fytyrë”, tha ai.

Ndërkohë që raportohet për dhjetëra të lënduar nga shpërthimi i një bombole gazi që ndodhi gjatë së martës në një lokal në Ferizaj.