Kishte 1 mijë të dashura, lideri i një sekti në Turqi dënohet me 1075 vite burg

Udhëheqësi i një “sekti seksi”, i cili ishte i rrethuar gjithmonë nga femra, të cilat i quante “kotelet” e tij, është dënuar me 1075 vite burg.

Adnan Oktar u shpall fajtor për 10 akuza të ndryshme, si abuzim seksual me të mitur, drejtimin e një bande kriminale, përdhunim, shantazh, mashtrim, spiunazh politik e ushtarak, si dhe torturim. 64-vjeçari, i mohoi akuzat, por gjykata dha dënimin me 1075 vjet burg.

Seancat u mbajtën mes detajeve të zhurmshme dhe akuzave për krime seksuale. Oktar i tha gjykatës në dhjetor se ai kishte afërsisht 1 mijë të dashura. Ai tërhoqi vëmendjen e publikut, fillimisht, në vitin 1990 kur ishte udhëheqësi i një sekti, i cili u përfshi nga skandale të shumta seksuale.

Një nga gratë në sallën e gjyqit, e identifikuar vetëm si CC, tha se Oktar kishte abuzuar në mënyrë të përsëritur me të dhe gra të tjera.

Ai u shpall fajtor edhe për ndihmë ndaj klerikut Fethullah Gülen, të cilin Turqia e akuzon si organizator të grushtit të shtetit të vitit 2016.

Po ashtu, edhe 13 persona të tjerë, bashkëpunëtorë të Oktar, morën dënime të rëndë për akuza të njëjta. Rreth 236 të dyshuar kanë qenë në gjyq në këtë çështje, 78 prej të cilëve janë nën arrest.