Klinika e Kirurgjisë Torakale ka vendosur të heqë dorë nga greva në të cilën kishin hyrë muaj më parë.

Drejtori i kësaj Klinike, Saudin Maliqi, në një prononcim për Ballkani.info, ka thënë se ata kanë reflektuar pas miratimit të ligjit për paga dhe kanë vendosur t’i kthehen punës së përditshme.

“Pas votimit të projektligjit për paga nga parlamenti i Kosovës, ne nuk e kemi parë të arsyeshme që të vazhdohet greva”, tha Maliqi.

Tutje, Maliqi ka thënë se edhe pse koeficienti i pagave për kirurgët nuk ka ndryshuar, ata nuk e shohin të arsyeshme që të eskalojë situata me qëllim që të ndryshojnë koeficientin.

“Ne jemi republikë parlamentare dhe përderisa parlamenti voton një projektligj, ne duhet ta respektojmë. Kërkesat tona kanë qenë për ngritje të koeficientit të pagave, kjo nuk ka ndodhur por ne i respektojmë institucionet dhe vendimet e tyre, andaj edhe është ndalur greva dhe puna po vazhdon me rregull”, ka përfunduar Maliqi për Ballkani.info.

Kujtojmë se kirurgët kishin hyrë në grevë që nga data 17 Dhjetor të vitit të kaluar. /Ballkani.info