KFOR po organizon ushtrimin “Shpata e argjendtë”

KFOR po organizon ushtrimin Silver Sabre (Shpata e argjendtë)  2018-2 në kampin “Film City,” në bashkëpunim të ngushtë me Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s, OKB-në dhe EULEX-in.

17 institucione, agjenci dhe organizata të Kosovës janë të përfshira  gjatë ushtrimit në zhvillimin e procedurave dhe sinergjive lidhur me rolin e tyre për të trajtuar një situatë emergjente, shkruan EkonomiaOnline.

“Shpata e argjendtë 2018-2 duhet të konsiderohet një mundësi unike për të bashkuar të gjithë aktorët dhe organizatat relevante përgjegjëse për sigurinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë në rast të fatkeqësive natyrore dhe emergjencave në shkallë të lartë. Qëllimi kryesor i ushtrimit është harmonizimi dhe rritja e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, agjencive dhe organizatave të Kosovës kur të lindin kriza të tilla,” thuhet në komunikatën për medie të KFOR-it.

Përpjekjet e përbashkëta dhe ndërkombëtare për të përmirësuar aftësitë e Kosovës për të mirën e qytetarëve të saj sigurohen nga kontributi i personelit të Brigadës 77 të Britanisë së Madhe dhe një ekipi trajnues nga Qendra Rajonale për Marrëdhënie me Publikun në Shkup.

Ata janë duke vepruar si mentorë për pjesëmarrësit në trajnimin e Angazhimit të Liderëve kryesorë, komunikimit, menaxhimit të medieve, komandës dhe kontrollit, procedurat e stafit dhe procesin e vendimmarrjes, në mënyrë që të merren me skenarë kompleks dhe sfidues.