KFF Mitrovica mëson kundërshtarët e Championsit

Kampionia e Kosovës në futboll për femra, Mitrovica, të premten ka mësuar kundërshtarët që do t’i ketë në raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Mitrovica do të luajë në grup me Olimpia Cluj të Rumanisë, NSA Sofia të Bullgarisë dhe Breznica Plevla të Malit të Zi. Ndeshjet e grupit të dytë, ku bën pjesë Mitrovica do të luhen në Mal të Zi.

Vetëm fituesi i grupit avancon tutje. Olimpia Cluj në garën elitare evropiane garon rregullisht nga viti 2011.

Grupin e ka kaluar katër herë, ndërsa vjet përfundoi në vend të dytë në grup në këtë fazë. NSA Sofia nuk ka kaluar grupin ndonjëherë, ndërsa Breznica, ndonëse ishte nikoqire e turneut dy herë, po ashtu nuk ka avancuar tutje.

Mitrovica, që tashmë është klub dominues i femrave në futbollin kosovar, për herë të dytë luan në Evropë.

Vjet ishte ndalur në raundin kualifikues, duke i humbur thellë të tria ndeshjet. Por kishte grup dukshëm më të fortë se sivjet.

Ndeshjet e raundit kualifikues luhen prej 7 deri më 13 gusht. Numër rekord prej 62 skuadrash janë pjesë e Championsit këtë edicion, ndërsa 40 prej tyre luajnë në raundin kualifikues.