ATK

Këtë vit më pak pasuri e konfiskuar nga shteti

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj ka thënë se këtë vit ka pasur më pak pasuri të konfiskuar.

Murtezaj në një intervistë për Evropën e Lirë ka thënë se Ligji parasheh që në rastet kur bëhen më tepër se gjashtë vjet, sepse deri në gjashtë vjet kanë kompetencë të mbledhim borxhe.

“Më tepër se gjashtë vjet, nuk kemi të drejtë të marrim masa të mbledhjes së borxheve, nuk kemi të drejtë konfiskimin, qoftë të pasurisë së luajtshme apo të paluajtshme”, tha ai.

Sipas tij, konfiskimi dhe shitja e pasurisë përdoren për grumbullim të borxhit.

“Kemi zhvilluar procedura të konfiskimit. Gjatë këtij viti të them të drejtën janë në masë më të reduktuar. Asnjëherë nuk është tendencë që ne të shkojmë dhe të konfiskojmë pasuri, por i gjithë qëllimi është të mblidhet borxhi. Por, në rastet kur tatimpaguesit nuk i përgjigjen thirrjes për të paguar borxhin, atëherë merren edhe masat e konfiskimit. Janë vendet e autorizuara ku vendoset pasuria, varësisht çfarë pasurie është. Nëse është pasuri e luajtshme, pajisje apo gjëra të tjera, janë depo ku dërgohet malli. Organizohen procedurat e shitjes dhe pas shitjes bëhet kompensimi i borxhit. Ndërsa nëse është fjala për pasuri të paluajtshme vendosen shiritat dhe mbeten në atë mënyrë deri në momentin e shitjes”, tha Murtezaj.