Këtë gjelltore e mbylli AUV, për shkak të dyshimeve se u helmuan disa persona në Prishtinë

Janë helmuar disa persona nga ushqimi në fshatin Trudë të Komunës së Prishtinës.

Helmimi dyshohet se ishte shkaktuar pasi një familje kishte porositur ushqim për dhjetëra persona të cilët kishin marrë pjesë në një të pame së fundi.

Për shkak të dyshimeve, tani është mbyllur përkohësisht biznesi ku ishte porositur ushqimi nga i cili thuhet se shkaktoi helmimin e disa personave.

Burimet e Indeksonline bëjnë të ditur se biznesi që u mbyll është gjelltorja “Te Nazi”.

Ndryshe, lajmin për mbylljen e biznesit e ka konfirmuar Ibrahim Tërshnjaku, kryeinspektor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

“Pas marrjes së informatës, Inspektorati ka dalur në vendin e ngjarjes në QMF e që më pas kanë dërguar ekipe bashkë me IKSHPK dhe Policinë. Kanë marrë mostra ku është përgatitur ushqimi. I kemi mbledhur të gjitha informatat. Subjektit është mbyllur përkohësisht. Lënda do të gjurmohet nga IKPSHPk se cili ka qenë shkaktari që ka shkaktuar këtë helmim.

Në fillim është menduar që është COVID-19 pasi janë simptomat e njëjtja. Por pas testimit negativ të tyre është konstatuar nga mjeku si të dyshuar për helmim. Numri i atyre që e kanë konsumuar ushqimin është mbi 65. AUV do të shqiptojë edhe gjobë ndaj këtij biznesi. Po ashtu ndaj këtij subjekti afarist do të bëhet fletparaqitje për gjykatë”./Indeksonline/