Kështu do të duket Prishtina e Re

Ministri Matoshi shpjegon planin për “Prishtinën e Re”. Ai shtoi se kërkohet që të bëhet një plan rregullues urbanistik i asaj pjese ku do të vendoset administrata e ardhshme shtetërore.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka treguar planin për “Prishtinën e Re”.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha se sa i përket “Prishtinës së Re”, është bërë një shpallje e zonës në interes të veçantë për qytet administrativ.

“Më shumë se dy të tretat e kësaj prone, që në momentin aktual kur po flasim janë 700 hektarë janë pronë shoqërore, janë pronë publike, disa janë prona komunale, disa janë prona në menaxhim të AKP-së dhe të tjerat janë prona private”, tha Matoshi, në RTV21, duke shtuar që pronat private nuk do të shpronësohen. Ai shtoi se kërkohet që të bëhet një plan rregullues urbanistik i asaj pjese ku do të vendoset administrata e ardhshme shtetërore.

Matoshi tha se në 700 hektarët që janë pronë shtetërore nuk ka prona të familjes së ngushtë të Behgjet Pacollit.