Naim Murseli, këshilltar i kreut të AKR’së, Behgjet Pacollit, ka ironizuar me Kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, lidhur me propozimin që hyrja me vetura në qendër të Prishtinës të bëhet me pagesë
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Murseli ka thënë se të hysh në një metropol si Prishtina për vetëm 10 euro është badihava,
“Me hy në një metropol si Prishtina për vetëm 10€ kjo është badihava! Foto si do të duket hyrja”, ka shkruar Murseli.
Ndryshe, hyrja me vetura në qendër të Prishtinës pritet të bëhet me pagesë.
Komuna po planifikon që në nëntor të merret një vendim i tillë, derisa pritet të hyjë në fuqi nga viti i ardhshëm.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se hyrja me pagesë në kryeqytet, do të eliminojë tollovinë në komunikacion, pasi që siç thotë ai zgjerimi i rrugëve nuk është zgjidhje.
“Diku në nëntor fillojmë tash një projekt të ri të cilin jemi para nënshkrimit, ku do të ketë edhe pagesa që besoj do mund ta implementojmë që nga viti tjetër, pagesa për hyrje në kryeqytet. E gjitha kjo me idenë që, po njerëzit kanë nevojë për kerre, por jo edhe bash sa i vozisim na. Prishtina është qytet i vogël, prej skajit në skaj për gjysmë ore mundesh në këmbë me hecë”, ka deklaruar Ahmeti.







