Gazmend Syla

Këshilltari i Haradinajt dyshon se ish prokurori Blakaj ka dorëzuar dosje të veteranëve në Serbi

Gazmend Syla, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj për çështjen e veteranëve, ka thënë se dyshon që ish-prokurori Elez Blakaj ka keqpërdorur dosjen me aplikacionet e veteranëve dhe një kopje të këtij dokumentacioni e ka dorëzuar në Serbi.

Këtë dyshim ai thotë se e hedhë pasi emri i tij është gjetur në listat e veteranëve të rrejshëm.

Në Interaktiv të KTV-së, Syla ka thënë se nëse Blakaj ka pasur të drejtë të dyshojë për të dhe të tjerët, edhe të tjerët kanë të drejtë të dyshojnë në punën e ish-prokurorit.

“Ai ka pasur qasje në gjithë materialin. Nëse ai dyshon se unë nuk jam veteran i vërtetë, unë dyshoj se një kopje e asaj dosje me deklarata, ka shkuar në Serbi. Kam të drejtë të dyshoj në të, kur edhe ai ka dyshuar në mua. Nëse ai dyshon për mua, edhe unë kam të drejtë të dyshoj se një kopje e tillë është në Serbi. S’kam fakt, por a ka pas fakt ai se unë jam veteran mashtrues. Ndoshta i duhet lista Serbisë për Gjykatën Speciale si dokumentacion. Aty ka deklarata të veteranëve që konfirmojnë se dikush ka qenë pjesë në luftë, në këto aksione. Nëse jam i dyshimtë për këtë punë edhe unë mund të dyshoj në diçka të tillë”, ka thënë Syla.

Ka thënë se si organizata të veteranëve duan proces të ri hetimi dhe ka përshëndetur vendimin e marrë nga gjykata që dosja t’i kthehet Prokurorisë Speciale për përmirësim dhe qartësim. Sipas tij, procesi nuk duhet të kthehet në fillim sepse do të hapej mundësia për edhe më shumë aplikime.