Kërkohet vaksinim masiv kundër COVID-19 e rishikim i Ligjit për pandeminë

Vaksinat kundër COVID-19 e mungesa e informacionit rreth shpërndarjes së tyre ishin temat më të përmendura në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësinë.

Ndonëse ishte mbledhja konstituive e këtij komisioni, aty nuk kaluan pa u diskutuar dhe pa u përmendur edhe problemet në shëndetësi.

“Qytetarët presin prej nesh që të sigurojmë vaksinën normalisht që sytë i kanë të drejtuara nga Qeveria, por edhe ne të tjerët i kemi përgjegjësit tona, për të ndihmuar aty ku qeveria dështon të sigurojë apo nuk e ka qasjen apo ka pasur prioritet të tjera”, ka thënë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se “20 mijë vaksina janë 1 pikë ujë në deti”. Kosova deri më tash ka marrë 24 mijë vaksina nga programi COVAX.

“Rekomandojmë të mos shkohet me një ritëm të ngadalshëm të vaksinave, ka me iu skadu afati vaksinave, duhet mobilizim në të gjitha nivelet. Këto hapa duhet të merren para se të vijë vaksina nga ana jonë do keni mbështetjen e sinqerisht”, ka thënë Dreshaj.

Por situata me pandeminë e masat e marra nga Qeveria për të parandaluar përhapjen e COVID-19 u tha se janë të paqarta dhe për to s’ka pasur transparencë. Madje këtu u propozua edhe ndryshimi i Ligjit për menaxhimin e pandemisë.

“Ka mungesë të transparencës ka mungesë të informatave, masat mënyrën se si janë dizajnuar dhe sa shpejtë janë pru a e kane arrit atë efekt ajo, mungesa e vaksinave sa është kërkesa e vaksinave”, është shprehur Uran Ismaili nga PDK-ja.

Deputeti nga radhët e VV-së, Haxhi Avdyli, ka kërkuar që ligji të rishikohet.

“Me pa sa ka arrit ky ligj me i përmbush kërkesat e menaxhimit të pandemisë, ku mund të rishikohet e plotësohet dhe ky ligj të bëhet edhe më funksional, propozoj që të rishikohet edhe njëherë”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, që ishte edhe ministër i Shëndetësisë, ligjin e ka quajtur të mangët.

“Ligji për pandeminë mendoj që është i mangët, është bërë në afekt politik për konsum politik dhe mua si ministër fare pak më ka ndihmur. Mendoj që s’do t’i ndihmojë as ministrit aktual”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka ftuar deputetët që me dyer të mbyllura dhe me ministrin aktual, Arben Vitia, të diskutojnë për procesin e sigurimit të vaksinave, që, sipas tij, përmban informacione konfidenciale.

Në këtë mbledhje u përmendën edhe Ligji për shëndetësinë e Ligji për sëmundjet ngjitëse, si dhe furnizimi i barnave, si ndër problemet që duhet të angazhohen deputetët.

Kryetare e Komisionit për Shëndetësi është zgjedhur deputetja e VV-së, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha. /koha