Kërkohet që Komuna e Deçanit mos të dorëzohet karshi Manastirit

Nisma Socialdemokrate dega në Deçan, shprehet e shqetësuar me lëvizjet e fundit rreth asfaltimit të rrugës Deçan-Planë, dhe tentimin e pengimit nga ana e Manastirit të Deçanit.

Nisma Socialdemokrate dega në Deçan, i kërkon Këshillit Menaxhues të Zonës së Veçantë të Manastirit të Deçanit, që nesër në mbledhjen e tyre, të marrin vendim të drejtë dhe të mos pengojnë ndërtim e kësaj rrugë, kur dihet së ky këshill nuk ka penguar kohë me parë ndërtimin e Hidrocentraleve në kuadër të Zonës së Veçantë të Manastirit të Deçanit.

“Nisma Socialdemokrate dega në Deçan, kërkon nga kryetari i Komunës së Deçanit dhe Komuna e Deçanit që assesi të mos pranojnë kompromis rreth asfaltimit të rrugës e cila kalon përmes Zonën e Veçantë e cila shkon për në Plavë, mos të lëshoj pe dhe të pranojë ndonjë devijim të trasesë së kësaj rruge e cila kalon përgjatë Zonës së Veçantë të Manastirit të Deçanit. Po ashtu, kërkojmë nga ana e drejtuese të Manastirit të Deçanit, që të mos pengojnë asfaltimin e rrugës e cila kalon përmes Zonën e Veçantë”, thuhet në komunikatën e tyre.

Manastiri i Deçanit assesi nuk po pranon që të asfaltohet rruga brenda zonës së veçantë që çon për në Plavë.

Për këtë, Komuna e Deçanit po shikon mundësinë që rrugën 5 kilometërshe në këtë zonë, mos ta asfaltojë fare.

Megjithëkëtë, ditë më parë, kryetari Bashkim Ramosaj, tha për KTV se shpreson që do të arrihet një marrëveshje me Manastirin, pasi thotë se rruga 28 kilometërshe është në interes të zhvillimit ekonomik të kësaj Komune.

Por, Këshilli për Monitorim dhe Zbatim, i cili merret me mbikëqyrjen e Zonave të Veçanta, që mbrohen me ligj, ka zhvilluar disa takime për të gjetur zgjidhje për këtë. Në njërin nga këto takime, Zyra e Bashkimit Evropian, që është pjesë e këtij Këshilli, ka propozuar që të bëhet një rrugë alternative, e cila do të financohej nga BE-ja.

Kujtojmë se takimi i radhës i këtij këshilli, do të jetë nesër më 5 shkurt, ku pritet të merret vendimi për këtë çështje.

Ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, është paraparë të kushtojë 11 milionë euro.