Kërkohet hapësirë e posaçme për mbeturinat e rrezikshme

Qendra për Informim dhe Kulturë e Bashkimit Evropian organizoi sot diskutim lidhur me “Menaxhimin Efektiv të Mbeturinave dhe Riciklimit në Kosovë”. Aty u tha se është duke u punuar në krijimin e një hapësire të posaçme për grumbullimin e mbeturinave të rrezikshme.

Panelistët shtruan po ashtu se një problem tjetër që kanë identifikuar është  keq menaxhimi i mbeturinave në komunat e vendit.

Libor Chlad, zëvendësshef i Sektorit të Bashkëpunimit tha se janë duke u munduar që të caktojnë një hapësirë për mbetjet e rrezikshme pasi që siç tha ai, nuk është në rregull që ato të gjenden në hapësirë të hapur në natyrë.

Ai bëri të ditur se BE-ja çdo vit ndan rreth 100 milionë euro prej të cilave një pjesë e konsiderueshme shkon edhe për ambientin, ndërsa siguroi se kjo mbështetje nuk do të mungojë as në të ardhmen.

“Të folurit nuk mjafton, duhet të bëhet punë. Është e rëndësishme që kërkesat për ambient të pastër burojnë nga qytetarët e këtij vendi dhe jo nga të huajt që vijnë këtu. Ne nuk po mundohemi ta vendosim veten në këpucët tuaja dhe nuk po mundohemi që t’i dimë të gjitha. Ne jemi duke punuar në asistencën e planeve për të ardhmen që të zbatojmë një koncept të mbledhjes dhe të riciklimit të mbeturinave”, tha ai, përcjell KosovaPress.

Ai tha se duhet të preken edhe fushat tjera siç janë mbeturinat e ngurta e të cilat paraqesin edhe rrezik për njerëzit që jetojnë në afërsi të tyre.

Alpinistja dhe kampionja e Fushatës së Mjedisit, Arineta Mula, tha se kultura e njerëzve që kanë ardhur nga njerëzit e vendeve të ndryshme të botës e kanë shtyrë që të mbledhin mbeturina gjatë kohës kur del me vrapu. Ndërsa ftoi për angazhim qytetarë në largimin e mbeturinave.

“Ne jemi një shtet që jemi në zhvillim e sipër. Neve na duhet ndihma e qytetarëve. Ne çdo ditë jemi duke mbledhë mbeturina në Gërmi dhe rezultatet janë parë brenda 10 ditëve. Unë po e shoh që përkundër asaj se po mbledhim mbeturina, qytetarët po hedhin sërish”, tregoi ajo.

Drejtori i organizatës “Let’s Do it Kosovo”, Luan Hasanaj, tha se po mungojnë veprimet konkrete të institucioneve të Kosovës sa i përket mbrojtjes së ambientit, pasi që shumë projekte kanë arritur vetëm deri tek pjesa e draftimit të tyre.

Ai tha se duhet të jetë prioritet mirëmbajtja e zonave publike në Kosovë nga institucionet publike.

“Shohim pjesë të mëdha të deponive sepse nuk kanë ndërtuesit ku të lënë mbetjet e tyre. Komunat nuk kanë arritur ende që të ndajnë lokacionet se ku duhet të deponohen mbetjet e tilla”, tha ai.

Ndërsa Edita Pozhegu nga “Open Data Kosovo”, prezantoi në pika të shkurtra platformën “Trego Gjelbër”, derisa dha edhe detaje se si funksionon ky aplikacion.

“Qëllimi i këtij projekti është me iu ndihmu komunave. Ne kemi parë se ka problem ne keq menaxhimin e mbeturinave dhe kjo na ka shtyrë të krijojmë këtë platforme. Aplikacioni ka hartat dhe kështu e kemi të mundur të identifikojmë mbeturinat ilegale”, shpjegoi ajo.

Ajo bëri të ditur se qyteti që ka më së shumti raportime deri sot është Peja, pasuar nga Gjakova.