Kërcënohet drejtoresha e Klinikës së Neonatoligjisë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se derisa po mbante kujdestarinë e rregullt dhe po ofronte kujdes për foshnjat e porsalindura, në kuadër të Klinikës së Neonatoligjisë, në orët e vona është kërcënuar dhe fyer drejtoresha, Hajrije Ismaili.

Sipas njoftimit të ShSKUK-së, kërcënimi ka ndodhur nga axha i një foshnjeje, i cili është duke u trajtuar në klinikë.

“Sipas rregullit të klinikës, të drejtë në informatë kanë vetëm nënat dhe baballarët, çdo ditë nga ora 12:00 deri në 13:00. ShSKUK dënon kërcënimin ndaj drejtoreshës Ismaili, duke kërkuar nga organet kompetente të ndërmarrin masa ndaj kërcënuesit”, thuhet në njoftim.