Këmbimi i përvojave mes fëmijëve kosovarë e gjermanë, i nevojshëm për të avancuar arsimin në vend

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot disa nxënës gjermanë dhe kosovarë, nga programi i këmbimit të nxënësve dhe studentëve me organizatën gjermane “Education Unlimited a.V” drejtuar nga Kerstin Zielosko Labonte.

“Është fakt i mirë që projekti i nisur në bazë vullnetare, nga i cili kanë përfituar shumë nxënës nga vende të ndryshme të Kosovës, por nga viti i kaluar edhe 15 studentë dhe 4 mësimdhënës”, tha kryeministri Hardinaj, duke shtuar se tanimë lidhur me këtë projekt dhe për t’i dhënë më shumë mbështetje, Qeveria e Kosovës, një vit më parë ka nënshkruar edhe memorandum mirëkuptimi në fushën e arsimit me organizatën “Education Unlimited a.V” dhe se tani po i sheh rezultatet pozitive të këtij programi.

Ai shtoi se falë këtij programi janë pranuar nxënës gjermanë, të cilët e kanë vizituar Kosovën, për ta parë një Kosovë ndryshe, një Kosovë evropiane.

Gjatë këtij takimi ai ka thënë se programi i tillë ka mundësuar vizitat e fëmijëve kosovarë në Parlamentin Evropian, përfaqësuesit e të cilit i kanë dhënë përkrahje programit.