KDI kërkon konsensus politik për dialogun me Serbinë

KDI e vlerëson si pozitive nismën e ndërmarrë nga Partia Socialdemokrate (PSD), për bashkërendimin e partive parlamentare nga pozita dhe opozita rreth ndërtimit të një qëndrimi unik shtetëror të Kosovës mbi fazën finale të procesit të dialogut.

Në një komunikatë për media, KDI vlerëson se draft-rezoluta dhe projektligji i paraparë me këtë draft-rezolutë janë dokumente të cilat shërbejnë për përfshirjen e të gjithë spektrit politik dhe ndërtimin e konsensusit politik rreth dialogut me Serbinë, si një domosdoshmëri për të mbrojtur interesin e shtetit të Kosovës.

KDI inkurajon partitë parlamentare në pozitë dhe opozitë të përfshihen në diskutime konstruktive për avancimin e këtyre dokumenteve duke ofruar qëndrimet e tyre.

“Partitë parlamentare duhet të bëjnë përpjekje serioze për nxjerrjen e një rezolute dhe ligji të dakorduar nga i gjithë spektri politik, duke respektuar kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës për unitet të gjerë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi”, porosit KDI.