Kaqusha Jashari: Kreshnik Husaj-Kika është dallavrexhi

Themeluesja e Partisë Socialdemokrate, Kaqusha Jashari po e quan dallaveraxhi, kryetarin e degës së kësaj partie në Pejë, Kreshnik Husajn.

Shkak për këtë u bë deklarata e Husajt i cili tha se “socialdemokratët e Kaqusha Jasharit” janë larguar nga PSD-ja dhe kanë themeluar partinë Ora Socialdemokrate.

“SocialDemokratet e vjetër të PSD-së ikin nga Partia SocialDemokrate e Shpend Ahmetit dhe bashkohen për themelimin e një subjekti të ri me emrin ORA SocialDemokrate”, ka deklaruar Husaj.

“PSD-ja nuk e ka më frymën socialdemokrate që e kishte para se të bëhej Shpend Ahmeti kryetar, tashi ka ndryshuar fryma socialdemokrate, ne nuk funksionojm në stilin komunist, por jemi parti e qendrës së majtë që veprohet sipas standartit socialdemokrat”, kishte shkruar Kreshnik Husaj në profilin e tij në “Facebook”.

Jashari demantoi kategorikisht pretendimet e Husajt. Madje atë e quajti dallaveraxhi.

“Kjo është rrenë. Si mund të largohem nga PSD-ja, e cila është një parti që e kam formuar vet. As me shkelma nuk mund të më largojnë nga PSD. Jemi parti e fuqishme me 12 deputetë në Kuvend”, tha Jashari duke e quajtur edhe dallaveraxhi.

Husaj që njihet edhe si Kika i Big Brother pasi kishte marrë pjesë në një edicion të spektaklit “Big Brother Albania” në mars të vitit të kaluar është akuzuar se ka detyruar bashkëshorten e tij të bëjë seks me para.

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, kishte ngritur aktakuzë për prostitucion kundër të pandehurit Kreshnik Husaj, duke e akuzuar se ka detyruar gruan e tij që të kryente prostitucion.