RTK

Kandidati që shante mediat kosovare përsëri synon pozitën e anëtarit të Bordit në RTK

Nesër do të realizohen intervistat e 16 kandidatëve të cilët garojnë për anëtarë të bordit të RTK-së. Komisioni Ad-hoc përgjegjës për intervistim dhe për përzgjedhje do të përbëhet nga Agim Veliu në cilësinë e kryetarit, Fitim Haziri, Fidan Jillta, Tinka Kurti, Nijazi Isaku, Besim Muzaqi, Valon Ramadani, Mergim Lushtaku, Isak Shabbani, Armend Zemaj e Time Kadriaj.

Juristja e medias, Flutura Kusari, që i ka publikuar se emrat e Komisionit dhe të kandidatëve ka thënë se i ka siguruar përmes të drejtës për qasje në dokumente publike.

Ajo ka zbuluar edhe emrat e 16 kandidatëve të cilët nesër do t’i nënshtrohen testimit para Komisionit Ad-Hoc për 3 pozitat në Bord,

„Nesër intervistohen 16 kandidatë për 3 pozita për anetarë të bordit të RTK-seë. Kandidatët janë: Donika Xhokli, Shukrije Rama, Ilir Bytyqi, Besa Maxhuni, Xhemail Veseli, Shpresa Jashari, Besnik Boletini, Naile Demiri, Dritan Shaipi, Mimoza Vila, Afrim Gashi, Albinot Maloku, Arta Berisha, Faton Shatmani, Naser Bresa dhe Mehmet Kalisi“, ka shkruar Flutura Kusari.

Ajo që bie në sy është përsëri emri i  Mehmet Kalisit, i cili pozitës së njëjtë ia kishte mësyrë edhe një vit më parë, në shtatorin e vitit 2022.

Kalisi i cili kishte postime ku i shante mediat dhe që thoshte se kur i lexon gazetat serbe “ndihesh shumë më i çliruar” kishte qenë kandidati më i vlerësuar vitin e kaluar.

Organizatat që kishin vëzhguar procesin dhe organizatat ndërkombëtare ishin alarmuar nga mënyrë se si ishin vlerësuar të kandidatëve për anëtarë të Bordit, ku Kalisi kishte dalë me më së shumti pikë.

Sipas Lëvizjes “FOL”, që e kishte monitoruar procesin, kishte pasur mungesë transparencë në vlerësim të kandidatëve dhe anshmëri në vlerësimin e tyre.

“Të gjithë kandidatëve nuk u janë parashtruar pyetjet e njëjta nga ana e komisionit, duke krijuar kështu trajtim të pabarabartë të kandidatët dhe vlerësim jo objektiv dhe jo meritor nga ana e komisionit”, thuhej në një reagim të “FOL”, menjëherë pasi u bë vlerësimi.

Edhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) kishte kërkuar që të niste edhe një herë nga fillimi procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për një anëtar të bordit, duke përmendur se kriterët për vlerësim duhet të jenë të njëjta si në përzgjedhjen e parë të anëtarëve të bordit aktual të RTK-së

“Përzgjedhja e anëtarëve të bordit të transmetuesit publik kërkon transparencë maksimale dhe kriterin për objektivitet. Kjo vlen edhe për RTK-në në Kosovë, sic vlen për secilin kanal publik. Parlamenti duhet ta rinis këtë procedur, nëse dëshiron që të jetë kredibile”, thuhej në reagimin e EFJ-së.