‘Kandidati i pavarur’ për kryetar të Mitrovicës, Fatmir Hasani nuk certifikohet nga KQZ-ja (Dokument)

Mërgimtari Fatmir Hasani, kishte ardhur gjatë kësaj vere në Kosovë me synimin për të kandiduar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës.

Në kuadër të procedurave të mbrendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, ai kishte nisur mbledhjen e nënshkrimin nga delegatët e qendrës së VV-së në Mitrovicë, ku kishte arritur t’i marrë vetëm 10 nënshkrime për kandidaturën e tij, ani pse i duheshin 21 (20%) nënshkrime të delegatëve, gjë që kishte bërë që kandidatura e tij të mos aprovohej nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Veriu.

Në shenjë reagimi, ai kishte shpallur në Facebook kandidaturën si i pavarur. Mirëpo, duket se gjitha veprimet e tij mbeten vetëm në tentativë.

Veriu.info ka siguruar dokumentin që tregon se Fatmir Hasani nuk është certifikuar nga KQZ-ja.

Ndryshe, tash edhe zyrtarisht në garë për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet e 17 tetorit kanë mbetur kryetari aktual, Agim Bahtiri (LVV), Bedri Hamza (PDK) dhe Armend Agolli (LDK).