Kancelari austriak uron Kurtin, konfirmon mbështetjen e Austrisë

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka uruar Albin Kurtin për postin e kryeministrit të Kosovës.

Në një telegram urimi, të nisur të premten, Kurz e ka vlerësuar Kosovën partnere të rëndësishme për Austrinë, bëri të ditur Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit.

Kurz ka thënë se Kosova gjithmonë ka qenë vend me prioritet për Agjencinë Austriake për Zhvillim, raporton Koha.net.

“Më lejoni t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si Kryeministër i ri i Republikës së Kosovës. Që nga Shpallja e Pavarësisë në vitin 2008, Kosova është përballur me sfida serioze politike, etnike, ekonomike dhe shoqërore. Kosova është partner i rëndësishëm për Austrinë dhe zhvillimi i marrëdhënieve tona të mira ka rëndësi të madhe për ne. Kosova ka qenë gjithmonë vend me prioritet për Agjencinë Austriake për Zhvillim dhe mund t’ju siguroj se do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të mirë”, thuhet në urimin e kancelarit austriak.

Kurz ka shtuar se mezi pret të bashkëpunojë me Kurtin dhe se do ta mbështesë integrimin e Kosovës në BE.