Mbrojtësi i Benficës

Juventusi synon transferimin e Grimaldos

Juventusi gjen më në fund lojtarin e duhur si alternativë të besueshme në krahun e majtë të mbrojtjes. Ai është Alejandro Grimaldo, 23-vjeçari i Benficas, një lojtar i aftë për të ndjekur të njëjtën rrugë që përshkoi Alex Sandro.

Braziliani i bardhezinjve ende nuk ka pranuar ofertën e klubit për rinovimin e kontratës, ndaj dhe drejtuesit kanë hedhur sytë ne merkato duke pikasur lojtarin spanjoll.

Alex Sandro, që ndaj Genoas pritet të qëndrojë në stol, për të rifituar energjitë për ndeshjen e Championsit, ka kontratë deri në vitin 2020, nga e cila përfiton 2.8 milionë euro në sezon. Juventusi është gati t’ia rritë pagën deri në 4 milionë plus bonuset, por anësori brazilian synon 5 milionë në sezon.

Nëse nuk gjendet gjuha e përbashkët deri verën e ardhshme, atëherë futbollisti do të nxirret në shitje. Për Alex Sandron janë interesuar skuadra të mëdha, veçanërisht PSG, që ishte gati të shpenzonte 35-40 milionë euro, por jo 50 sa kërkonte Juventusi.

Këtu hyn në lojë Grimaldo, që do të mbërrinte në qershor në moshën 24-vjeçare, aq sa ishte Alex Sandro kur firmosi me bardhezinjtë. Edhe braziliani erdhi nga i njëjti kampionat, pasi ishte pjesë e Portos.

Juventusi vlerëson aftësitë e futbollistit të Benficas në të dyja fazat e lojës, madje mund të përmirësohet edhe më shumë, për t’u shndërruar ndër më të mirët në rolin e anësorit të majtë.