Janarët e dhimbjes dhe krenarisë sonë kombëtare!

Sot, dhe gjithmonë do përulemi me dhimbje, respekt dhe krenari kombëtare për idealet, punën dhe sakrificën sublime të tre pishtarëve të lirisë së Kosovës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të cilët më 17 janar të vitit 1982 në një pritë të organizuar nga Shteti-UDB-a jugosllave në Untergrupenbach afër Heilbronnit në Gjermani u vranë mizorisht!

Këta tre martirë të kombit u detyruam që t’i varrosnim në varrezat e Bad Cannstattit afër Shtutgartit, sepse regjimi jugosllav nuk na lejonte që trupat e tyre t’i përcjellim për në Kosovë, ndaj deri në vitin 2002 ata do prehen në Gjermani, kur më në fund do i kthehen gjirit të tokës nënë të Kosovës.

Për 20 vite varret e tyre në Bad Cannstatt ishin shndërrue në lapidarë dhimbjeje dhe krenarie kombëtare, ku mërgata jonë patriotike në Perëndim, në shenjë nderimi dhe respekti ndaj veprës së tyre, me lot dhe vaje përkulej para varrezave të tyre, duke u mobilizue dhe betue, se do ta vazhdojnë përjetësimin e ëndrrave dhe idealeve të tyre deri në çlirimin e plotë të Kosovës!

Ideali i tyre si dhe dëshira shekullore e gjithë shqiptarëve për liri dhe shkëputje nga prangat e robërisë së gjatë serbe, u jetësuan më 12 qershor të vitit 1999, gjegjësisht me 17 shkurt 2008, me shpalljen formale të pavarësisë së Kosovës, por që fatkeqësisht edhe pas 12 viteve shtet, akoma nuk e patëm një iniciativë shtetërore për zbardhjen e vrasjes së këtyre 3 pishtarëve të lirisë, siç nuk kemi deri më tash as dënime të kriminelëve serbë për masakrat që bënë ndaj mijëra shqiptarëve në Reçak dhe gjithandej Kosovës!

Sikur të ishte sot gjallë Jusufi do thoshte; “Tani e kemi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit, por këtu nuk përfundojnë aspiratat tona për bashkim kombëtar, dhe se duhet punue ditë e natë për ta zhvillue shtetin e Kosovës, për ta ngritur emrin e shqiptarit të mirë në botë”!

Prandaj, e kemi amanet nga këta tre martirë që dy shtetet tona në Ballkan, t’i zhvillojmë dhe forcojmë sa më shumë ekonomikisht, që një ditë jo të largët të vendosim vetë si komb i bashkuar për fatet dhe të ardhmen tonë më të sigurt, si popull i barabartë në mesin e gjithë popujve të Evropës së bashkuar!

Sjelljet dhe veprimet e oligarkisë politike dhe ekonomike në atdheun tonë, të cilët e plaçkitin dhe e penguan zhvillimin e vendit, nuk iu bëjnë nderë heronjve të Kosovës si dhe mijëra martirëve të lirisë, ngase ata nuk e flijuan jetën për një Kosovë ku dominon krimi i organizuar ekonomik dhe korrupsioni, por për një shtet ku secili qytetarë do njehet dhe jeton i lumtur me familjen e tij!

Nuk ka asnjë dyshim, se ka ardhur koha e ndryshimeve të domosdoshme në Kosovë, sepse ky është edhe amaneti i të gjithë atyre që punuan dhe u sakrifikuan për liri dhe pavarësi kombëtare!

Qoftë i përhershëm kujtimi ynë për Jusufin, Kadrinë dhe Bardhoshin !

Shtutgart, 17. 01. 2020