Jakup Krasniqi në krah me Haradinajn: Fajtorin e taksës lypeni në Beograd

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se fajtorin për taksën kërkojeni në Beograd.

Ish-Kryetari i Kuvendit i ka dalë në krah Ramush Haradinajt lidhur me taksën 100% ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake.

Krasniqi është shprehur se nuk është vendosur kundër serbëve, por kundër politikës armiqësore të Serbisë.

“Ajo që duhet thënë në mënyrë të qartë është, se taksa nuk është vendosur kundër asnjë njeriu të Kosovës, as ndaj pakicës serbe, madje as kundër bizneseve serbe, por është vendosur kundër politikës armiqësore serbe”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka thënë se ata që ankohen kundër taksës duhet ta drejtojnë gishtin në Beograd.

“Madje qytetarët serbë të Kosovës dhe bizneset serbe në Serbi, të gjitha ankesat që kanë duhet t’i drejtojnë kundër qeveritarëve serbë të Beogradit. Ata janë përgjegjësit kryesor të të gjitha raporteve serbe e shqiptare”, ka thënë Krasniqi.

Ai poashtu ka thënë se lumenjt e gjakut mes serbëve dhe shqiptarëve janë pasojë e Beogradit.

“Nëse ka dhe ka lumenj gjaku në mes serbëve e shqiptarëve, të gjitha përgjegjësit janë në Beograd dhe askund tjetër”, ka shkruar Krasniqi.

loading…