Iu iku aeroplani, kompania kërkoi nga udhëtarët e panjohur që të flenë në të njëjtin shtrat

Një kompanie të fluturimeve i është kërkuar të kërkojë falje pasi ua ofroi një dhomë hoteli me një shtrat dy personave që nuk e njihnin njëri-tjetrin. Atyre iu bë kjo ofertë pasi u vonuan dhe iu iku aeroplani.

Elizabeth Coffi Tabu, 71 vjeçe, duhej të kthehej në Paris pasi kishte qëndruar për një muaj te familja e saj në Kanada. Sidoqoftë, kur asaj i iku fluturimi në Montreal, kompania i ofroi asaj qëndrim në një hotel së bashku me një udhëtar tjetër, një burrë 35 vjeç, të cilin nuk e kishte takuar kurrë në jetë.

Vajza e saj tha para gazetarëve: “Nëna ime i tregoi kompanisë se nuk e njeh atë burrë dhe se ai nuk ishte bashkëshorti i saj, por ata i kishin thënë se kanë vetëm një dhomë”. Ajo shtoi se nëna e saj kishte vështirësi, sepse lëvizte me karrocë pas trajtimit për sëmundjen e kancerit.

Pasi pa se dhoma kishte vetëm një shtrat, burri i panjohur ishte treguar i gatshëm të flejë në kolltuk.

“Ai ishte një zotëri i vërtetë, por unë sigurisht se nuk u ndieva rehat duke e kaluar natën me një burrë që ishte dyfish më i ri se nëna ime dhe tërësisht i panjohur për të”, shtoi vajza e plakës.

Pas disa orësh, vajza e saj arriti ta rezervojë një dhomë tjetër për nënën e saj, të cilës kompania ia kishte dhënë dy pagesa prej 10 dollarësh për ushqim dhe një ulëse me më shumë hapësirë për shkak të nevojave të veçanta, shkruan “Independent”.

loading…