Italia angazhon mjekun e luftës për ta zgjidhur krizën me COVID-19 në Kalabri

Qeveria italiane i ka bërë thirrje të hënën një prej ekspertëve kryesorë të kujdesit shëndetësor të vendit, i cili zakonisht operon në zona të luftës, për t’u angazhuar në zgjidhjen e krizës shëndetësore me koronavirus në rajonin jugor të Kalabrisë.

Gino Strada, themelues i Organizatës Joqeveritare të Urgjencës, e ngritur për të ndihmuar viktimat civile të luftës, është pajtuar të punojë me një komisioner të ri të shëndetësisë, që po lufton kundër një vale të infektimeve me koronavirus.

Strada i cili është kirurg ka ndërtuar spitale në zonat në konflikt përreth botës, përfshirë në Sudan dhe Afganistan, shkruan Reuters.

Kujdesi shëndetësor në Kalabri, një nga zonat më të varfra të Italisë, është vënë në fokus këtë muaj, me dy shefa të shëndetësisë që dhanë dorëheqje për shkak të dyshimeve për ta përballuar krizën pandemike.

Saverio Cotticelli dha dorëheqje më 7 nëntor, pasi në një intervistë televizive pranoi se rajoni nuk kishte një plan urgjence për COVID-19. Qeveria emëroi Giuseppe Zuccatelli në vend të tij, por as ai nuk punoi gjatë aty për shkak të deklaratave që bëri se mbajtja e maskave ndihmon në përhapjen e koronavirusit.

Rajoni është në izolim të pjesshëm dhe konsiderohet si zonë me rrezik të lartë apo “zonë e kuqe”.

Qeveria tha se shefi i ri për shëndetësi do të jetë Eugenio Gaudio, bashkë me Stradan, i dërguar special për krizën me COVID-19.