Ismaili: Trajtimi i infarktit në dy orët e para, në të gjithë Kosovën

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes Facebook-ut ka njoftuar se programi kombëtar për trajtimin e infarktit në dy orët e para, për të shpëtuar sa më shumë jetë të qytetarëve nga kjo sëmundje, do të nisë menjëherë që të punohet në realizimin e tij.

Me këtë program sipas Ismailit kudo që ai jeton në Kosovë, brenda dy orëve do të reagojë i gjithë zinxhiri shëndetësor.

Poashtu me këtë program rriten shanset për mbijetesë për qytetarët që ballafaqohen me sulm në zemër.

Postimi i plotë:

“Rreth 3 mijë persona, apo 35% e të gjitha vdekjeve brenda vitit në Kosovë, shkaktohen nga sëmundjet e zemrës. Duke parë këtë situatë, për herë të parë në Kosovë, ne po krijojmë programin kombëtar për trajtimin e infarktit në dy orët e para në të gjithë vendin. Për çdo vonesë prej 30 minutash pas infarktit, rreziku i vdekshmërisë rritet për 7.5%.
Me këtë program, kur një qytetar do të ballafaqohet me sulmin në zemër, kudo që jeton ai në Kosovë, brenda dy orëve do të reagojë i gjithë zinxhiri shëndetësor, me procedura të përshpejtuara, dhe pa asnjë vonesë do ta sjellë atë në QKUK, për t’ia shpëtuar jetën.
Me shërbimin 24-orësh për sëmundjet e zemrës dhe stentimin në QKUK dhe tani me këtë program, ne do t’i shtojmë ndjeshëm shanset e qytetarëve tanë për mbijetesë. Programi do të zhvillohet në tri faza dhe puna për realizimin e tij do të fillojë menjëherë”, ka shkruar Ismaili.