Islandezët të befasuar me paraqitjen e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka arritur të mposhtë atë të Islandës në ndeshjen e zhvilluar sot në Prishtinë në kuadër të parakualifikimeve për në kampionatin botëror.

“Dardanët” ishin më të mirë se islandezët në katër çerekët e zhvilluar, duke mbyllur të gjithë me epërsi, e cila në fillimi ishte e lartë, por që në fund u zbut në vetëm dy pikë dhe ndeshje u mbyll me rezultat 80:78.

Pas ndeshjes në konferencën për media trajneri i Islandës, Craig Pedersen u shpreh se Kosova pati një pjesë të dytë më të mirë, falë trepikëshave të shumtë të shënuar nga djelmoshat kosovarë.

“Për fat të keq për ne, ata arritën të shënojnë shumë tre pikësha në pjesën e dytë dhe numri 11 arriti të shënojë disa pikë shumë të vështira, dhe ne e dinim se ai mund të bëjë një gjë të tillë. Jam i lumtur me shumë gjëra. Bëmë 6 rikthime në rezultat në këtë ndeshje dhe për ne kjo është shumë gjë e mirë në një ndeshje, si kjo dhe e pamë se ata kishin më shumë gjuajte se ne”, u shpreh Pedersen.

Ndërsa basketbollisti islandez, Tryggvi Hlinason pas humbjes nga Kosova deklaroi se ishte i habitur me ndeshjen e mirë të zhvilluar nga Dardanët, transmeton KP. 

“Ata luajtën çuditërisht mirë dhe ata qëlluan me të vërtetë mirë, ne dështuam t’i ndalonim gjuajtjet e tyre, sepse ata gjuajtën shumë dhe bënë shumë gjuajtje, ne si ekip dështuam për shkak të vetëbesimit, kështu ne kishim vështirësi për të shënuar për tri pikë në veçanti si dhe kur ishim nën basket kishim vështirësi për të sulmuar koshin për shkak të agresivitetit dhe për ti përfunduar shënimet në mënyrën më të mirë”, u shpreh Hlinason.

Kombëtarja e Islandës të dielën do të zhvillojnë ndeshjen e dytë në grupin B, ku do të presë në shtëpi skuadrën e Slovakisë.