Ish-zëvendës shefja e AKI-së emërohet këshilltare e Ramës

Ish-zëvendësdrejtuesja e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Vlora Hyseni, është emëruar këshilltare e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ajo, para disa muajve, u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, prej funksioneve të AKI-së.

Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, gjatë periudhës sa institucioni që mbledh dhe shpërndan informacione të rëndësishme për shtetin te kryeministri dhe presidenti kishte mbetur pa drejtor.

Asaj i mbeti drejtimi i institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të këtij viti, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.

Hyseni nga informacionet e pakta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo flet disa gjuhë të huaja.

Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.