Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi, do të intervistojë sot ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, inspektorin e Përgjithshëm të AKI-së, Shkëlzen Sopjani dhe ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, raporton Ekonomia Online.
Edhe pse ishte paralajmëruar që mbledhja të fillojë në ora 8:30 në mungesë të kuorumit mbledhja nuk ka filluar ende.
Ditë më parë ishte intervistuar edhe ish-drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni. Intervistimi i Maxhunit kishte zgjatur mbi dy orë.
Policia e Kosovës kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë. Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke.
Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.
Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.
Në fund të muajit tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuar nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.







