Ish-deputetja e PDK-së e revoltuar me emrat e Kryesisë së re

Ish-deputetja nga radhët e PDK-së, Besa Ismaili, është shprehur tejet e pakënaqur dhe e revoltuar me emrat e rinj të Kryesisë së kësaj partie.

Me këtë rast, ajo ka lavdëruar ish-udhëheqësin e PDK-së, Kadri Veselin, për veprimet e tij politike, ndërsa ka kritikuar kryetarin aktual Memli Krasniqin.

‘’Prurjet e Kadri Veselit ishin çdoherë vizionare. Sikurse veprimet e tij politike. Ashtu edhe niveli organizativ. Me një diskurs të matur, e shërbyes. Unë pata fatin të jem rekrute në Partinë Demokratike të Kosovës nga Veseli. Pjesë e procesit reformues për rikthimin e integritetit politik partiak dhe më gjerë. Vendimi i tij doli i suksesshëm, ku populli më besoi në kuvend. Uragani i padrejtësisë që e mori atë në Hagë, pafuqizoi edhe aktivitetin tim.Si prurje e partisë, jam shumë e pakënaqur dhe shpreh revolten time me shumë emra të përfolur dhe të etabluar në strukturen e re udhëheqëse në parti. Është e pakuptimtë që figurat zbehëse të votes pro-PDK të sistemohen sërish. Dhe emrat “e rinj” janë larg më të dobët se që pritej, dhe aspak premtues për nevojat aktuale të partisë. Kjo do të ketë kosto. Dhe jam e bindur se ka mundësi për më shumë dhe për shumë më mirë. Ky është dhe do të jetë alarmi im publik’’, ka shkruar ajo në profilin e saj zyrtar.

Megjithë kritikat, Ismaili shton se do të jetë sërish në shërbim të PDK-së.

‘’Por natyrisht, aktiviteti im politik do të jetë në shërbim të Partisë Demokratike të Kosovës, si institucion, si emanet i brezave që po përballen me padrejtësinë ndërkombëtare. Do të vazhdoj parreshtur dhe besnikërisht të jem konstruktive. Kryetari Veseli do të më gjej aty ku dhe si më ka lënë: parimore, me integritet, e artikuluar dhe e zëshme ndaj padrejtësive dhe gabimeve, kontribuese dhe vetmohuese, në shërbim të qytetarëve, strukturave dhe aktivistëve të PDK-së’’, ka shkruar tutje ajo.

Këshilli Drejtues i PDK-së është duke mbajtur mbledhjen për zgjedhjen e Kryesisë së re të partisë. Megjithëse mbledhja ka filluar pak pas orës 16:00, ajo ende nuk ka përfunduar, edhe pse kryetari Memli Krasniqi paralajmëroi një konferencë për shtyp në orën 18:30.

Në media kanë rrjedhur emrat e Kryesisë së re të propozuar nga kryetari Memli Krasniqi, për të cilat reagoi edhe ish-deputetja Ismaili.