Isa Mustafa i del në mbrojtje Driton Selmanajt, thotë se është gabim peticioni për shkarkimin e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, konsideron se është gabim inicimi i peticionit për shkarkimin e zvëvëndëskryeministrit Driton Selmanaj, teksa u bën thirrje për kujdes deputetëve dhe qeveritarëve që flasin për tema të ndjeshme si ajo e personave të pagjetur.

Ai i del në krah edhe deputetes së LVV-së, Saranda Bogujevci, kur thotë se njerëzve që kanë përjetuar tmerre “nëse nuk mund ti ndihmojmë t’ua zbusim dhembjet, atëherë domosdoshmërisht duhet ti respektojmë dhe t’i përkrahim”.

Kreu i LDK-së ka folur për Gazetën Express pas debatit që u krijua në publik për të pagjeturit dhe shtimin e zërave që kërkojnë shkarkimin e zvëvëndëskryeministrit Driton Selmanaj.

Isa Mustafa thotë se nuk e ka përcjellur interpelancën për të pagjeturit por ka lexuar shkoqitje nga debati dhe tensionet e krijuara, e po ashtu vlerëson se kjo temë është gjithmonë aktuale derisa të gjendet edhe personi i fundit.

“Nuk e kam përcjellur debatin në interpelancën për të pagjeturit. Kam lexuar disa shkoqitje nga debati dhe për tensionet e krijuara. Tema e të pagjeturëve do të mbetet gjithmonë aktuale, derisa te gjendet edhe personi i fundit. Mënyra se si artikulohen individët nuk konteston përkushtimin e tyre për të pagjeturit. Çdokush që synon të krijojë kauzë politike nga të pagjeturit duke atakuar individë apo LDK-në, konsideroj se e ka shumë gabim. Gabim e kanë edhe  ata që organizojnë peticione. Por si deputetët ashtu edhe qeveritarët duhet të jenë më të kujdesshëm veçmas në temat që janë shumë të ndjeshme”, tha Mustafa të dielën.

Ai tha se atyre që kanë përjetuar tmerre nëse nuk arrijmë t’ua zbusim dhimbjet, duhet t’i respektojmë dhe përkrahim.

“Ka njerëz që kanë përjetuar tmerre. Nëse nuk mund ti ndihmojmë t’ua zbusim dhembjet e tyre, atëherë domosdoshmërisht duhet ti respektojmë dhe ti përkrahim”, tha me tej kreu i LDK-së.

Tutje Mustafa thotë se do të donte debate në Kuvend që zgjidhin probleme e jo që krijojnë probleme.

“Natyra e Kuvendit është të zhvillohen diskutime, të bëhen debate, të flitet. Këtë të drejtë nuk mund t’ua merr askush deputetëve dhe qeveritarëve. Unë kisha dashur të jetë një debat krejtësisht tjetër, një debat që zgjidhë probleme e jo që krijon probleme” u shpreh Mustafa për Gazetën Express.

Interpelanca e Kuvendit për të pagjeturit, ditën e enjte ëshë përcjellur me shumë tensione, fillimisht pati përplasje mes Arben Gashit të LDK-së e Saranda Bogujevcit të LVV-së, e cila është e mbijetuar e masakrës në luftën e fundit në Kosovë.

Debati vazhdoi edhe nëpër studiot televizive, i ftuar në emisonin “Pressing” në T7, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj i tha gazetarit Parim Olluri se “jemi lodhë me kësi qasje”.

Deklarata e tij u shpërnda me të madhe në rrjetet sociale dhe më pas u inicua edhe një peticion për shkarkimin e tij.

Por Selmanaj doli me një sqarim në profilin e tij në Facebook, me anë të të cilit tha deklarata e tij është thënë “vetëm dhe vetëm në këtë kontekst: MJAFTË më se jemi lodhur me përdorimin e temave tepër të ndjeshme për qëllime tejet të ulëta politike.

Kushdo që provon që me tema të tilla të ndërtoj kauzë politike kundër kundërshtarëve politik, apo të provoj që mbi to të ndërtoj karrierë politike është TURP, TURP që as toka nuk mund ta mbaj”, shkroi ai ndër të tjera. /