Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara ka mohuar raportet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, duke i quajtur pretendime të tilla “të pabaza dhe absurde”.

Mohimi vjen pasi media shtetërore iraniane njoftoi të hënën se ngushtica ishte mbyllur dhe se Irani do të qëllonte çdo anije që do të përpiqej ta kalonte atë, transmeton Ballkani.info.

Në një deklaratë në Platformën X, misioni iranian në OKB theksoi se vendi mbetet i përkushtuar për të respektuar ligjin ndërkombëtar dhe lirinë e lundrimit, duke pohuar se në fakt janë Shtetet e Bashkuara që kërcënojnë sigurinë detare.

Deklarata akuzoi SHBA-në për fundosjen e fregatës iraniane Dena në ujërat ndërkombëtare pa paralajmërim paraprak, ndërsa anija me 130 marinarë ishte në një vizitë në Indi. Irani pretendon se më shumë se 100 marinarë u vranë në atë sulm, të cilin ata e konsiderojnë një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe parimit të lirisë së lundrimit. /Ballkani.info/