Operatoret

IPKO, Kujtesa, Artmotion dhe Telkos lëshojnë sqarim për klientët

Operatorët e telekomunikacionit në vend kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, në mbrëmjen e së martës.

Sqarim për klientët nga operatorët e telekomunikacionit

Të nderuar klientë,

Urdhri i lëshuar sot më 17 Mars 2020, nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Sipërmarrjes dhe Investimeve Strategjike vendos detyrime të caktuara për operatorët e komunikimeve elektronike, të cilat do të bëjmë çdo përpjekje për t’iu përmbajtur aftësive teknike të rrjeteve tona.

Ju lutemi të informoheni që Urdhri i Qeverisë i detyron operatorët të vënë në dispozicion shërbime të pandërprera edhe në rastet e mospagimit vetëm për:

  1. Shërbimet emergjente, duke siguruar qasje të pandërprerë institucioneve që ofrojnë shërbime të thirrjeve emergjente, përfshirë këtu komunikimet epidemiologjike me urgjence të skajshme, siç përkufizohen nga OBSH dhe Ministria e Shëndetësisë;
  2. Shërbime të mësimdhënies përmes internetit, të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe
  3. Shërbime të tjera përmes internetit që institucionet e Republikës së Kosovës mund t’i vënë në dispozicion të qytetarëve.

Në përputhje më këtë, ju konfirmojmë që numrat ekzistues emergjent tashmë janë të qasshëm për të gjithë përdoruesit e telefonisë  fikse e mobile, dhe çfarëdo numri i ri i përcaktuar nga Qeveria do të implementohet nga ana e jonë.  Ndërsa, në lidhje me mësimdhënien përmes internetit, posa të marrim informacione nga Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë për platformat e krijuara për mësimdhënie në internet, ne do të ofrojmë qasje në të njëjtat platforma/faqe interneti falas.

Siç shpjegon Urdhëresa, sigurimi i qasjes në shërbimet e përmendura më lart nuk nënkupton që klientët do të lirohen nga pagesa. Prandaj, ne ju informojmë se në rast mospagimi, shërbimet do të ndërpriten, ndërkaq do te lejohet qasje vetëm ne numrat emergjent dhe linqet për mësim online.

Në përputhje me rrethanat, ju inkurajojmë të vizitoni faqen online të ofruesit tuaj të shërbimeve dhe të paguani për shërbimet në fjalë për të mos pasur ndërprerje të shërbimeve.

Duke pasur parasysh faktin se rrjeti i komunikimeve elektronike është pjesë e infrastrukturës kritike për sigurinë kombëtare, operatorët po bëjnë çmos për të ofruar shërbime të pandërprera në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të përdorin shërbimet emergjente dhe të informacionit.

Kujdesuni për shëndetin tuaj.

IPKO

Kujtesa

Artmotion

Telkos